UNIK +

Meditimi nuk është koncentrim!

Meditimi
Sheki Useini

Mendimtar i lirë / Meditues

Një nga njohuritë shumë të përhapura është se Meditimi është koncentrim. Por kjo nuk është e saktë! Meditimi nuk është koncentrim dhe as koncentrimi nuk është meditim.

Koncentrimi është një lloj arti i disiplinimit të Mendjes, kurse nga ana tjetër meditimi nuk merret me disiplinimin e saj, por përkundrazi me çlirimin nga ajo. Me Meditim çlirohemi nga ndikimi i vazhdueshëm i Mendjes, nga krijuesi i problemeve. Meditimi nuk të mëson të bëhesh as dentist, as inxhinier, as pilot, por ai të mëson ta zbulosh veten. Meditimi është shkolla ku ti i merr mësimet e para se kush je në të vërtetë. Në Meditim bëhesh më i zgjuar, më i freskët, më i kujdesshëm, por ajo që është më e rëndësishme është se me të medituari fillon transformimi yt.

Pastrimi i Qenies tënde nga brenda fillon nëpërmjet Meditimit. Mbështjellësi yt i vjetër asgjësohet dalëngadalë dhe kështu fillon të reflektoj drita e Qenies tënde të vërtetë, që ti ke sjellë me vete në këtë Botë. Kjo është edhe në fakt arsyeja e ardhjes tënde në këtë Botë, që të ndriçojë fortë ajo të cilën e ke sjellë me vete. Meditimi të ofron më tepër paqe, më tepër inteligjencë dhe SUKSESI që është i përshtatshëm për ty, del në horizontin e dukshëm të jetës tënde. Gjithçka fillon të duket më e lehtë. Në Meditim do të gjeni relaksimin total dhe qetësinë absolute duke u çliruar nga të gjitha aktivitetet, si ato trupore, mentale dhe emocionale.

Nëse të ndodhë që të gjendesh në një gjendje qetësie të thellë, kur në ty nuk lëvizë asgjë dhe çdo aksion jashtë ndërpritet dhe të duket sikur je thellë në gjumë dhe përkundrazi në të njëjtën kohë je i zgjuar – atëherë në këtë gjendje do ta zbulosh se KUSH JE TI?!

Por kjo « dritare » nuk hapet me zor. Përpjekja me zor krijon tension. Tensioni është fondamenti i shumë vuajtjeve tona. Kjo edhe është dëshmia se Meditimi nuk është përpjekje. Meditimi kërkon që kundrejt tij të sillemi me kënaqësi. Nëse e rrit përpjekjen dhe e bën me zor, ai do të ikë. Kaq e thjeshtë është kjo! Ti duhet të përkushtohesh me plot kënaqësi, që secilën herë të thellohesh më tepër në relaksim. Kështu do ta mësosh Artin e Relaksimit. Por çka do të thotë kjo? Kjo pastaj do të thotë se ti në jetë mund të jesh edhe aktiv edhe i relaksuar në të njëjtën kohë. Ti pastaj e din se relaksimi është diçka e thellë në brendinë tënde dhe ai nuk mund të prishet apo bezdiset nga faktorët e jashtëm. Kështu që ti do të angazhohesh në periferi me tërë dinamikën tënde, por në qendrën tënde në brendi do të qëndrosh i qetë, i relaksuar. Kjo do të ndihmojë që ti të fillosh të largosh nga vetja aktivitetet e pakuptimta, pasi që do të kuptosh se ato vetëm ia zënë frymën kohës tënde. Kurse aktivitete të tilla kemi plot! Përkushtoju vetëm pas asaj që është e rëndësishme dhe me tërë elanin që posedon dhe lëviz më tepër në drejtim të brendisë.

Këtij shkrimi do ti shtoj edhe diçka të rëndësishme. Njeriu që vazhdon të meditoj, ai arrin në një pikë kur e kupton se joshja apo tundimi nuk vjen nga jashtë, por ajo është një mall i ndrydhur, ajo është ndjenjë e ndrydhur, energji e shtypur, seksualitet i bllokuar dhe sakatuar, epsh i grumbulluar me vite të tëra. Të gjitha këto e krijojnë joshjen në brendinë tënde. Joshja i ka rrënjët e saja në brendinë tonë. Nuk hezitoj të them se nuk më duket e saktë ajo se Dreqi vjen dhe të shtyn të mëkatosh dhe të bësh punë të këqija. Por unë mendoj se ajo është Mendja, Mendja e ndrydhur, e cila bëhet Dreq dhe kërkon pastaj këtë apo atë. Për një Mendje të këtillë, Meditimi është alternativa më efikase e shpëtimit.

Një njeri që mediton është plot energji, paqësorë, i mbushur me dashuri dhe ai reflekton një ngrohtësi të natyrshme dhe gjallëria e tij bie në sytë e secilit. Ai nuk lejon të lëkundet nga joshjet apo të dirigjohet nga mallëngjimet. Njeriu i vërtetë meditues është aq i lumtur, saqë ai jo vetëm që nuk ka nevojë të kërkojë nga askush ta bëjë të lumtur, por ai reflekton në mënyra të ndryshme nga lumturia e tij pa mos zgjedhur askënd.