UNIK +

Fakte të reja mbi përdorimin e Kanabisit tek të rinjtë dhe roli i prindërve në menaxhimin e këtyre rasteve

Dr. Bujar Berisha

Psikiatër me qasje psikoterapeutike

Të dhënat aktuale flasin për një trend në rritje të konsumimit të kanabisit. Këto të dhëna vejnë në pah rritjen e konsumimit në mosha shumë të reja duke filluar nga mosha 14 vjeçe, e që paraqet një sfidë edhe për Shëndetin Publik.

Kur bisedohet me të rinjtë lidhur për këtë problematike një pjesë e tyre kanë tendenca banalizimi duke neglizhuar efektet dominuese të kanabisit për shëndetin e tyre fizik e mendor.  Edhe përkundër mendimeve kontroverse në raport me këtë drogë, një gjë duhet ditur se sidomos në mosha të reja shkakton mjaftë dëme në shëndetin e tyre. Kjo ndërlidhet me faktin se,( përvojat e para me këtë drogë kanë vërtetuar), futja e një substance kimike siç janë përbërësit e kanabisit modifikojnë ndërgjegjen dhe ndjesitë e individit si dhe shkaktojnë probleme në organe të ndryshme te organizmit. Tymosja e kanabisit prekë traktin e frymëmarrjes duke dhënë shpesh bronkite apo edhe simptoma të rënda të rrugëve të frymëmarrjes.

Ndërsa tek adoleshentet njeri nga efektet më dominuese është se dëmton qelizat nervore (neuronet), duke ndikuar kështu në mos zhvillimin e tyre.Truri në moshën adoleshente është në procesin e zhvillimit, futja e përbërësve të kanabisit do ta prishë këtë proces me rrezikun e efekteve shkatërruese të vazhdueshme e afatgjata. Ai, kanabisi në këtë rast, zvogëlon  kujtesën e punës, duke shkaktuar çrregullime të vëmendjes dhe funksioneve ekzekutive (planifikimin, prioritetet, fleksibilitetin mendor, zgjidhjen e problemeve, aftësitë krijuese, etj). Gjithashtu ndikon edhe në Koeficientin e Inteligjencës (IQ) duke e ulur për 8-10 pikë (sipas një studimi të bërë në Zelandën e Re gjatë vitit 2012). Pra, përdorimi i kanabisit do të ketë një ndikim si në rezultatet shkollore ashtu edhe në raportet interpersonale.

Nga aspekti psikik efektet janë edhe më shqetësuese. Kanabisi  mund të precipitojë gjithashtu fillimin e çrregullimeve psikiatrike të tilla si çrregullim në sjellje, depresion, çrregullime ankthi apo edhe çrregullime psikopatike dhe gjendje paranojake.

Çfarë mund të rekomandojmë për prindërit?

Shumica e prindërve janë të vetëdijshëm mbi pasojat rrënuese të drogave. Ka shumë pak prindër që  janë mospërfillës apo nuk mund të imagjinojnë që një ditë fëmija i tyre mund të bie pre e drogës.

Ata duhet të dinë se fëmijët tashmë që nga mosha 13 – 14 vjeçare fillojnë të ndihen të pavarur dhe shumë gjëra dëshirojnë ti bëjnë pa u penguar.  Nganjëherë kureshtja apo edhe traumat fëmijërore i shtynë ata që të ekspozohen ndaj rreziqeve që imponon sjellja sociale.

Prandaj, prindërit duhet të jenë më vigjilent në raport me fëmijët e tyre, shoqëroni ata nëpër vështirësitë dhe dilemat që prezantojnë në këtë moshë. Jini me ta, përkrahni, të keni një mënyrë kontrolli, sidomos gjatë kthimit të tyre nga mbrëmje të ndryshme, konsiderojeni shok, të diskutoni hapur sepse kjo ju ndihmon atyre.

Gjeni pikën e ekuilibrimit në mes asaj që quhet: reagim – pranim; mos vononi momentin kur duhet reaguar, përndryshe do të përçoni ankth ose paragjykime, dhe kjo do të bëjë që fëmija juaj të fshehë gjithçka.