Highlight UNIK +

Udhëtimi nganjëherë mund të çojë në kufijtë e çmendurisë! Ja sindromat e turistit dhe ato që lidhen me përvoja emocionale dhe traumatike

udhëtimi
Dr. Bujar Berisha

Psikiatër me qasje psikoterapeutike

Kur vlerësohet një çrregullim mendor, klinicisti shpesh mbështet në një bazë të dhënash të përbashkëta patologjike për të vendosur një diagnozë dhe  të përshkruaj pastaj një model terapie.

 Edhe përkundër asaj ekzistojnë disa sindroma psikiatrike “të pa zakonta” të cilat hasen kohë pas kohe duke tejkaluar kështu edhe klishetë e përditshme, në një farë forme sfidojnë edhe terapeutin. Simptomatologjia në këto sindroma është mjaftë e pasur nga aspekti klinik dhe përfshinë një mori çrregullimesh psikologjike që manifestohen kryesisht përmes çrregullimëve të identifikimit, ankthit, deri në disociim mendor apo edhe simptome psikotike. Vërehën gjithashtu edhe reaksione të forta emocionale që vijnë si pasojë  një përvoje traumatike apo edhe çrregullime mendore të lidhura me psikotraumën.

Ndër to janë edhe sindroma e turistit dhe sindromet që ndërlidhen me reaksionet e forta emocionale pas një përvoje traumatike.

  1. Sindroma e Turistit, kjo ndikon tek disa turist të përballen me aspekte të caktuara të realitetit të vendit të vizituar.

Udhëtimi nganjëherë mund të çojë në kufijtë e çmendurisë, ja disa shembuj:

Sindroma e Jerusalemit

Sindroma e Jeruzalemit karakterizohet nga një tronditje emocionale, duke u kombinuar  me mendime obsessive të detyruara e deri në disociim ideo-afektif apo edhe gjendje psikotike, që ndërlidhet me një ndjenjë të cuditshme kur individi u afrohet vëndeve të shenjta të Jeruzalemit. Sindroma nuk është e ndërlidhur me ndonjë religjion në veçanti, por ajo përshkruhet si gjendje e tendosur emocionale apo një gjendje iluzive, që prek disa vizitorë në Jerusalem, ku subjekti identifikohet me një figurë kryesore të besimit të tij fetar.

Sindroma duket se ndodh tek njerëzit me një histori të sëmundjes psikiatrike ose me një ndjenjë paraprake të shqetësimit para se të vizitojnë qytetin. Iluzionet psikike, zakonisht janë të përkohshme, zbehen pak javë pas largimit.

Ky çrregullim nuk është i krahasueshëm me një çrregullim të vazhdueshëm psikotik. Nëse është i nevojshem trajtimi me antipsikotikë, rekomandohet që tretmani të ndalet gradualisht pas zhdukjes së simptomave.

Sindroma Parisit

Sindroma e Parisit pothuajse ekskluzivisht haset nga turistët japonezë, të cilët përballën me një crregullim psikik të lehtë ne momentin e vizitës të kryeqytetit francez, si pasoj e zhgënjimit nga ajo se cfarë shohin.

Kjo sindromë shfaqet si pasojë e një tronditje brutale kulturore duke u manifestuar me: ankth, humbje të ndjenjës së realitetit (depersonalizimi), gjendje delirante ose halucinacione. Pacientët nuk kanë histori psikiatrike paraprakisht. Kjo u ndodh zakonisht  për shkak të një hendeku shumë të madh midis imazhit që japonezët e kanë ndaj Parisit dhe ballafaqimit me realitetin. Barriera gjuhësore dhe mënyra e komunikimit të frëngjishtes, e përceptuar si shumë e drejtpërdrejtë, ështe një nga shkaqet.

Sindroma  Tokios

Nëse japonezët kalojnë përmes Sindromës Parisit, Sindroma e Tokios është për europianët.

Në të njëjtën mënyrë, ajo vjen nga një idealizim i jetës japoneze, të përçuar nga një jetë strikte  dhe estetikë tradicionale historike. E vërteta është krejt e ndryshme: një përshkrim rrënjësisht i ndryshëm, vështirësia e kontaktit, qytete zvarritëse dhe distanca të natyrshme midis individëve si dhe ballafaqimi me mijëra kode të mirsjelljes  dhe të nderit komplikojnë dhe vështirësojnë edhe më shume komunikimin. Me pak fjalë, komplekse.

Sindroma Firencës

E njohur gjithashtu si Sindroma Stendhal, rezulton me një ankth të lartë, të kombinuar nganjëherë me sulme paniku, gjendje konfuze, dissociim mendor ose, edhe halucinacione, tek një individ i ekspozuar ndaj mbingarkesës në art. Kjo gjendje zakonisht shkaktohet kur vizitori “atakohet” me një mrekulli të tepruar në disa vepra arti të përqendruara në të njëjtin vend.

Sindroma e Stendhal u emërua pas përvojës së shkrimtarit francez Stendhal për të udhëtuar në Firence, Itali, në shekullin e 19-të.

Sindroma e vendeve të imagjinuara

Apo ndryshe “sindroma e Peter Pan”, që do të thotë të rriturit që refuzojnë të rriten, por Vendi Imagjinar na bënë të ëndërrojmë gjithmonë …  duke u kapur për ëndrrat e fëmijërisë.

Sindroma Indiane

Kjo kryesisht ka të bëjë me turistët perëndimorë që vizitojnë Indinë. Turma, zhurma, varfëria, klima ekstreme, misticizmi, i bëjnë ata të kenë ndjenjen e braktisjes, dhe të manifestohet me forma të ndryshme të crregullimëve psikike. Për fat të mirë, një herë në shtëpi çdo gjë rregullohet.

 

  1. Sindromet që ndërlidhën me reaksionet e forta emocionale pas një përvoje traumatike.

 

Sindroma Stokholmit

Sindroma e Stokholmit është një përgjigje psikologjike që vërehet tek një viktimë, duke treguar shenja të simpatisë, besnikërisë apo respektit për agresorin e tij, pavarësisht rrezikut. Zakonisht shfaqet nga një kontekst i pengmarrjes. Kjo sindromë është përshkruar gjithashtu edhe në raste të përdhunimit, dhunës në familje ose abuzimit të fëmijëve që mund të interpretohet si një reagim ekstrem ndaj stresit të fortë emocional dhe fiziologjik.

Sindroma e Stokholmit është emëruar pas një ngjarje që u zhvillua në Stokholm të Suedisë në vitin 1973. Në një grabitje, grabitësit morrën peng katër punonjës të bankës dhe i kishin nën shënjestër për disa ditë. Pas lirimit të pengjeve, këta të fundit u lidhën me sulmuesit e tyre, duke përfshirë edhe refuzimin për të dëshmuar kundër tyre ose për t’i mbrojtur ata.

Një rast i famshëm i Sindromës së Stokholmit është ai i Patty Hearst, vajza e një milioneri, e cila u rrëmbye në vitin 1974. Edhe pse u abuzua nga kapësit e saj, ajo shkoi në gjykatë dhe justifikoi rastin. Ajo pastaj do të bashkohet me ta në një grabitje.

Ashtu si në të gjitha rastet e traumave të rënda, psikoterapia dhe mbështetja psikologjike duhet të merren parasysh. Çrregullimet shoqëruese gjithashtu duhet të kërkohen.

 

Sindroma Lima

Sindroma  Lima është e kundërta e sindromës së Stokholmit. Në këtë rast, mbajtësit e pengjeve ose sulmuesit tregojnë shenja simpatie ndaj viktimave të tyre dhe bëhen të hapur ndaj kërkesave dhe nevojave të tyre.

Emri i kësaj sindrome është i lidhur me një pengmarrje të ndodhur më 1996 në ambasadën japoneze në Lima, Peru. Gjatë një ceremonie, u morren më shumë se 500 pengje, duke përfshirë zyrtarë ushtarakë, diplomatë dhe udhëheqës të biznesit. Çuditërisht, shumica e robërve u liruan brenda pak kohesh, duke përfshirë edhe më të vlefshmit, si presidentin e ardhshëm të vendit. Pas disa kohësh bisedimesh të pafrytshme, të gjitha pengjet u liruan gjatë një bastisje nga një komando peruane. Rrëmbyesit refuzuan t’i ekzekutonin pengmarrësit.

Mbetët e paqartë nëse sindroma Lima është e lidhur me ndjenjën e fajit apo pavendosmërisë për çështje morale.

Zakonisht, kjo sindromë nuk shkakton çrregullime mendore. Asnjë ndërhyrje nuk rekomandohet, përveç ndonjë mbështetjeje psikologjike.