Highlight Të tjera

Trupi është shërbyesi i mendjes

Trupi është shërbyesi i mendjes

Trupi është shërbyesi i mendjes tuaj. Ai i bindet veprimeve të mendjes, qofshin ato të zgjedhura me kujdes e me paramendim apo të shprehura automatikisht.

Nën urdhër të mendimeve të liga trupi fundoset shpejt në sëmundje e vetë-shkatërrim; nën komandën e mendimeve të gëzueshme dhe të bukura ai bëhet i veshur me freski e bukuri.

Sëmundja dhe shëndeti, si edhe rrethanat, të gjitha i kanë rrënjët në mendim. Mendimet shëndetliga do ta shprehin veten përmes trupit të sëmurë e të ligë. Dihet se mendimet e frikës e vrasin një njeri po aq shpejt sa një plumb, dhe ato po vrasin vazhdimisht mijëra njerëz, me po aq siguri, edhe pse më ngadalë. Njerëzit që jetojnë në frikën e sëmundjes janë njerëzit që marrin atë.

Shqetësimi e demoralizon shpejt tërë trupin, dhe e bën të hapur ndaj futjes së sëmundjes; ndërsa mendimet e papastra, edhe nëse nuk plotësohen fizikisht, do ta shpartallojnë së shpejti sistemin nervor.

Mendimet e fuqishme, të pastra, dhe të lumtura e ndërtojnë trupin në vrull e hijeshi. Trupi është instrument delikat dhe plastik, që i përgjigjet me gatishmëri mendimeve nga të cilat impresionohet, dhe shprehitë e mendimit do t’i prodhojnë efektet e veta, të mira apo të këqija, në të.

Njerëzit do të vazhdojnë të kenë gjak të papastër dhe të helmuar, për aq kohë sa do të shtojnë mendime të papastra. Prej zemrës së pastër vjen jetë e pastër dhe trup i pastër. Prej mendjes së ndotur rrjedh jetë e ndotur dhe trup i prishur. Mendimi është gurra e veprimit, jetës e manifestimit; bëje gurrën të pastër, dhe të gjitha do të jenë të pastra.