Highlight UNIK +

Shëndeti mendor, faktori kryesor i cilësisë së jetës!

shëndeti mendor
Brikena Krasniqi Hoti

Specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë

Shëndeti mendor është një nga faktorët më të rëndësishëm në përcaktimin e cilësisë së jetës sonë.  Për fat të keq, shumë njerëz vuajnë ose ndihen të dërmuar emocionalisht për një kohë të gjatë, sepse nuk arrijnë të kërkojnë ndihmë profesionale. Nëse kemi një sëmundje fizike, p.sh. na dhemb dhëmbi, ne menjëherë shkojmë te dentisti që të marrim ndihmë, ose nëse kemi dhimbje shpine menjëherë kërkojmë ndihmë nga mjeku, ndërsa kur bëhet fjalë për shëndetin mendor, p.sh., kur jemi vazhdimisht të mërzitur, të stresuar apo nuk na zë vendi vend nga pasiguria dhe ankthi,  njerëzit thjeshtë e neglizhojnë këtë fakt.

Problemet emocionale janë shumë të zakonshme dhe prekin secilin prej nesh. Në fakt, rreth një në pesë persona në SHBA përjetojnë një problem të shëndetit mendor çdo vit. Vlerësohet së mbi 300 milionë njerëz, të të gjitha moshave, në mbarë botën vuajnë nga depresioni. Ne vendin tonë nuk ka të dhëna të sakta, megjithatë, ende është një nivel i ultë i personave që kërkojnë ndihmë tek psikologu ose psikoterapeuti, për shkak të stigmes, turpit dhe koncepteve të gabuara që kanë për psikologun ose psikoterapeutin.

Midis njerëzve, shqetësimi kryesor është që vetëm “të çmendur-it” kanë nevojë për psikolog ose që pranimi i ndihmës është një shenjë e dobësisë. Me e keqja është së në përgjithësi, nuk flitet sa duhet për sëmundjet mendore ose vështirësitë emocionale, por thjesht flitet vetëm për jetën dhe sa e vështirë mund të jetë jeta.

Për shumë njerëz është e vështirë marrja e vendimit për të vizituar psikologun ose thjeshtë për të kërkuar ndihmë. Për të pranuar se kemi një problem, dhe për të arritur në pikën ku jemi gati për të folur për të, mund të marrë kohë dhe kjo është normale.

Nëse nuk jeni i sigurt nëse duhet të kërkoni ndihmë tek psikologu ose kur duhet ta bëni atë, keni parasysh këtë fakt: psikologët ndihmojnë të gjithë njerëzit, me lloje të ndryshme të problemeve. Shpesh njerëzit kërkojnë ndihmë nga psikologu kur ndihen të dëshpëruar, në ankth, të shqetësuar ose kanë vështirësi të përballojnë një ngjarje ose një ndryshim të veçantë në jetën e tyre, ose kur përjetojnë simptoma të një sëmundjeje mendore, siç mund të jetë Depresioni ose Çrregullimi i Panikut. Në raste të tjera dikush mund të kërkojë ndihmë për arritjen e qëllimeve të tyre ose përmirësimin e disa aspekteve të jetës së tyre, siç janë puna dhe marrëdhëniet me njerëzit e tyre të dashur.

Injorimi i problemeve ose vështirësive emocionale nuk është një zgjidhje e mirë. Gjasat janë që ato nuk do të kalojnë vetvetiu. Në fakt ato vështirësi shpesh keqësohen dhe është më e vështirë të merren masa sa më shumë kohë të kalojë. Njerëzit që marrin ndihmë profesionale kanë më shumë gjasa të përmirësohen, të funksionojnë pa ndonjë problem të theksuar dhe të jenë më të kënaqur me veten dhe jetën e tyre.

Mos e trajtoni mirëqenien tuaj mendore dhe rehatinë emocionale si një gjë që mund të pret ose si të parëndësishme. Kur keni probleme, shëndeti juaj mendor nuk mund të menaxhohet duke i thënë vetes që duhet “t’i mblidhni mend” “t’a mblidhni veten së bashku”, “të marrësh veten me të mirë”, ëtj.

Fatmirësisht, edhe ne vendin tonë ka psikologë, psikoterapeutë dhe profesionistë të shëndetit mendor që janë të përgatitur dhe të kualifikuar sa duhet, për t’ju ndihmuar kur keni nevojë.  Ju duhet t’i jepni rëndësinë e duhur vetes suaj, emocioneve tuaja dhe shqetësimeve që mund të keni, duke kërkuar ndihmë.