Highlight UNIK +

SHËNDETI MENDOR DHE SULMET E PANIKUT

shëndeti mendor
Brikena Krasniqi Hoti

Specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë

Shëndeti ynë mendor dhe mirëqenia jonë emocionale është po aq e rëndësishme sa një këmbë e thyer apo një dhëmbë i prishur.

Nëse mendoni se nuk e njihni askënd që vuan, mund t’ju duhet të shikoni më gjatë. Gjasat janë që e njihni dikë, por ka mundësi që ata po bëjnë një punë të madhe për të fshehur problemin. Ankthi, paniku, depresioni apo ndonjë sëmundje tjetër mendore e bën personin të jetë shumë i izoluar nga bota, dhe ka ardhur koha të thyejmë heshtjen dhe të fillojmë biseda të hapura rreth çrregullimeve mendore, në mënyrë që t’u bëjmë me dije atyre që përballen me këto vështirësi të tilla se nuk janë vetëm.

Të flasim për ankthin dhe sulmet e panikut. A jeni ndier ndonjëherë i pushtuar nga një frikë dërmuese, sikur nuk mund të mbusheni më frymë, një ngushtim në gjoks, marramendje, dridhje e gjymtyrëve, zemra ju ka rrahur aq shpejtë sa që u është dukur se po e humbni kontrollin dhe se do të vdisni?

Ka shumë mundësi që në këto raste te mendoni se keni pasur një sulm në zemër, për shkak se simptomat janë të ngjashme. Mjeku juaj shumë shpejtë mund t’ju tregoj se gjithçka është në rregull me zemrën tuaj. Të tjerët mund t’ju thonë se keni pasur një ditë të vështirë dhe se kjo ka qenë si pasojë e nervozes dhe shqetësimit të asaj dite.  Është më rëndësi të dini se ajo çfarë keni përjetuar është një Sulm i Panikut ose siç njihet ndryshe ankthi i panikut.

Sulmi i Panikut në dallim nga Çrregullimi i Panikut

Vlerësohet se 3-5 % e popullatës së përgjithshme ka përjetuar së paku njëherë ne jetën e tij një Sulm të Panikut dhe kjo nuk paraqet ndonjë problem. Por, kur Sulmet e Panikut janë të përsëritura dhe brengoseni vazhdimisht se ato mund të rishfaqen, kjo do të thotë se ju vuani nga Çrregullimi i Panikut, i cili është një formë e Çrregullimeve të Ankthit. Lajmi i mirë është që askush nuk ka vdekur nga ankthi apo nga sulmet e panikut. Mirëpo, nëse kjo gjendje lihet e patrajtuar, mund të përkeqësohet dhe të shkaktoj efekte të mëdha negative sa që mund ta bëjë të pamundur funksionimin e përditshëm të personit.

Simptomat e Sulmit të Panikut

Sulmet e Panikut janë episode të frikës dhe shqetësimit intensiv, të shoqëruara nga simptoma fizike, kognitive dhe emocionale, të cilat arrijnë kulmin për disa minuta dhe mund të zgjasin deri ne 20 -30 min dhe pastaj zhduken, të tilla si: rrahje të shpejta të zemrës, djersitje, dridhje, ngushtim në frymëmarrje, ndjesia se po ngulfateni, dhimbje në gjoks, nauze, marramendje, ethe, ndjesia e mpirjes së gjymtyrëve, derealizim (ndiheni si e shkëputur nga realiteti) ose depersonalizim (ndiheni si e shkëputur nga vetja), frika se po e humbni kontrollin dhe do të “çmendeni” si dhe frika se do të vdisni.

Sulmet e Panikut janë të paparashikueshme

Njerëzit që vuajnë nga Çrregullimi i Panikut do të kenë sulme paniku në baza të rregullta. Për disa, ajo mund të jetë dy herë në muaj, për të tjerët mund të jetë pothuajse çdo ditë, por këto sulme shpesh do të vijnë papritmas, pa shenja të dukshme paralajmëruese. Njerëzit që jetojnë me çrregullime paniku shpesh ndihen mirë një minutë, dhe krejtësisht jashtë kontrollit nga një sulmi tjetër paniku.

Shmangia apo ikja nga vendet apo situatat

Nëse keni përjetuar së paku një sulm paniku dhe jeni vazhdimisht i/e brengosur se në çdo moment mund të përjetoni një sulm të ri paniku, do ta keni të vështirë funksionimin e përditshëm. Si pasojë mund të filloni t’i shmangeni vendet apo situatat në të cilat e keni përjetuar më parë një sulm paniku nga frika se kjo mund të ndodhë përsëri (udhëtimi me transport publik, pritja në rend p.sh. ne bankë, qëndrimi në hapësira të mbyllura, udhëtimi vetëm larg shtëpisë, etj). Kjo mund t’ju bëjë të ndihemi i/e izoluar.

Shkaqet e Çrregullimit të Panikut

Nuk dihet me saktësi se çka e shkakton ose si vjen deri tek ky çrregullim, i cili shfaqet më shumë tek femrat se sa tek meshkujt, në proporcion 2:1. Kombinim i faktorëve gjenetik dhe atyre të mjedisit si dhe rrethanat e vështira jetësore të individit luajnë rol të madh, siç mund të jenë përjetimi i ngjarjeve traumatike.  Mendohet se personat që vuajnë nga ky çrregullim kanë më shumë aftësi ose ndërgjegjësim të shtuar për t’i identifikuar ndjesitë apo reagimet fiziologjikë në trupin e tyre, duke i interpretuar ato si te rrezikshme ose alarmuese , prandaj janë më vulnerabil nga ky çrregullim.

Nëse keni provuar mënyra të ndryshme ta tejkaloni këtë problem dhe vazhdoni t’i përjetoni këto simptoma, aq sa ua kanë dëmtuar kualitetin e jetës dhe funksionimin e përditshëm, bëni mirë të konsultohuni me psikologun klinik.

 

VLERËSIMI DHE PËRCAKTIMI I DIAGNOZËS

Për të ndihmuar në identifikimin dhe vlerësimin e saktë, nëse keni apo jo Çrregullim të Panikut ndiqen këta hapa:

Një ekzaminim të plotë fizik tek mjeku dhe analiza të gjakut, për të kontrolluar gjëndrën tiroide si dhe një kontroll në zemrën tuaj, siç është elektrokardiogrami (ECG ose EKG), për të eliminuar mundësinë e paraqitjes së disa simptomave të ngjashme që mund të shkaktohen nga problemet me gjëndrën tiroide dhe zemrën.

Hapi i dytë është vlerësimi psikologjik tek psikologu klinik, ku ju do të flisni për simptomat, situatat stresuese, frikën ose shqetësimet, problemet e marrëdhënieve me njerëz dhe çështje të tjera që ndikojnë në jetën tuaj.

 

TRAJTIMI

Trajtimi mund të ndihmojë në zvogëlimin e intensitetit dhe frekuencës së sulmeve tuaja të panikut dhe përmirësimin e funksionit tuaj në jetën e përditshme. Opsionet kryesore të trajtimit janë psikoterapia dhe medikamentet. Një ose të dy llojet e trajtimit mund të rekomandohen, varësisht nga preferencat tuaja, historia juaj e problemit, ashpërsia e simptomave të çrregullimit tuaj të panikut, nëse keni vështirësi të tjera (çrregullime tjera) bashkëshoqëruese dhe nëse keni qasje në terapistët të cilët kanë trajnime të veçanta në trajtimin e çrregullimeve të panikut.

 

PSIKOTERAPIA

Psikoterapia konsiderohet si një trajtim shumë efektiv dhe në shumicën e rasteve është zgjedhja e parë për trajtimin e Çrregullimit të Panikut. Psikoterapia mund t’ju ndihmojë të kuptoni shkaqet e sulmeve paniku, të identifikoni situatat kur ato ju shfaqen dhe të mësoni se si t’i përballoni ato.

 

DISA TEKNIKA QË MUND T’JU NDIHMOJNË NË VET-MENAXHIMIN E SULMEVE TË PANIKUT:

Kjo nuk është një renditje që secilën teknikë me radhë ta përdorni. Ju mund të bëni atë që ju përshtatët, qoftë njërën, qoftë disa ose të gjitha këto.

1.      Merr frymë ngadalë dhe thellë. Ankthi mund t’ju shkaktojë shpejtim në frymëmarrje, gjë që ua keqëson sulmin e panikut. Sapo filloni t’i hetoni simptomat e panikut, sigurohuni që të merrni frymë  thellë dhe ngadalë për të qetësuar mendjen dhe trupin tuaj dhe do ti lehtësoni simptomat.

2.      Ushtrimi i frymëmarrjes për sulme paniku është ky: Merrni frymë ngadalë, thellë dhe butësisht, përmes hundës suaj dhe nxirreni frymën përmes gojës.  Disa njerëz e gjejnë të dobishme të numërojnë ngadalë deri në 3, në secilën frymëmarrje dhe në secilën frymë-nxerrje.  Për disa të tjerë është ndihmuese të mendojnë që kanë një balonë në barkun e tyre, i cili zmadhohet kur merr fryme dhe zvogëlohet kur e rinxjerrim frymën. Mbyllni sytë dhe përqendrohuni në frymëmarrjen tuaj për disa minuta. Ju duhet të filloni të ndjeheni më mirë në pak minuta. Është normale të ndiheni të lodhur më pas.

3.      Ndaloni dhe mendoni. Kur mendimet tuaja fillojnë të shpeshtohen dhe t’ju vërshojnë jashtë kontrollit, përpiquni t’i organizoni mendimet tuaja. Identifikoni mendimet e juaja më të frikshme, çfarë frikësoheni se do të ndodhe në rast të një sulmi paniku? Mendimet me të shpeshta dhe të zakonshme gjatë një sulmi paniku janë: “Do të më humb vetëdija, do të dalë jashtë kontrollit, do të çmendem, do të pësoj një sulm në zemër, etj.”. Për t’u vetëdijesuar për mendimet e juaja të frikshme, mbani një ditar dhe provoni t’i identifikoni ato sa herë që vëreni se jeni në ankth dhe i shënoni ato për një ose dy javë rresht, çdo ditë në ditar. Pasi t’i shënoni ato bëjani vetës këto pyetje: Sa ka gjasa të ndodhë ajo që frikësoheni se do të ndodhë? Çka mund të ndikojë që ajo të ndodhë? Edhe nëse ndodhë ajo që po frikësoheni, cila është me e keqja? Çka pastaj? Duke u përgjigjur në këto pyetje, ky proces vet-reflektimi mund t’ju ndihmojë që t’i menaxhoni me lehtë sulmet e panikut.

4.      Mendoni pozitivisht. Pushoni mendimet negative nga mendja juaj dhe kujtohuni se e keni në kontroll. Mendoni për raste kur keni qenë në gjendje për të menaxhuar me sukses situatat dhe për të zvogëluar ankthin. Përpiquni t’ia kujtoni vetes se sulmet e panikut gjithmonë kalojnë dhe simptomat nuk janë shenjë e ndonjë ndodhie të dëmshme ose të rrezikshme dhe se sulmi i panikut është vetëm “një alarm i rrejshëm i organizmit”. 5.      Relaksoni muskujt tuaj. Ankthi shkakton tërë trupin tuaj te jëtë i tensionuar, kështu që bëni një përpjekje të vetëdijshme për të relaksuar çdo muskul nga këmbët tuaja deri në qafën dhe fytyrën tuaj.

  1. Përpiqu të vazhdosh të bësh gjërat që ishe duke i bërë. Nëse është e mundur, mos e lësho situatën derisa ankthi të ulet dhe sulmi i panikut të kalon. Mësoni të përballoni frikën tuaj, sepse vetëm duke mos u larguar prej saj, ju jeni duke i dhënë vetes një shans për të zbuluar se asgjë e keqe nuk do të ndodhë gjatë sulmit të panikut.

 

  1. Filloni të përqendroheni në mjedisin tuaj dhe vazhdoni të bëni atë që keni bërë më parë. Përqendrohuni në 5 shqisat tuaja, duke u përqendruar në: 3 gjera qe je duke i shikuar për momentin (ato që i ke rreth teje) 3 gjëra që je duke i dëgjuar, 3 gjëra që je duke i nuhatur, prekur dhe shijuar.
  2. Mund të jetë e dobishme të keni dikë me ju në rastet e sulmit të panikut, duke ju siguruar se do të kalojë dhe simptomat nuk janë asgjë për t’u shqetësuar.

 

Mos prisni për një sulm paniku që të filloni të provoni këto teknika. Është e rëndësishme t’i përdorni këto strategji rregullisht që të mësosh të menaxhosh ankthin në faza graduale.  NËSE KENI PROVUAR METODA TË NDRYSHME TË MENAXHIMIT TË SULMEVE TË PANIKUT DHE PRAPË SE PRAPË GJENDJA JUAJ NUK ËSHTË PËRMIRËSUAR DHE JETA JUAJ PO NDIKOHET DUKSHËM NGA KËO SULME, REKOMANDOHET FUQISHËM KONSULTA ME PSIKOLOGUN KLINIK.