Highlight Të tjera

N’ty mendoj kur agon drita,Kur bylbyli mallshëm kndon…

Shqiptarët  qysh herët  ishin të ndërgjegjësuar për atdheun, e kanë pasur të qartë përkatësinë e tyre etnike, e kanë shfaqur me dashuri e krenari si dimensionin kryesor të shpirtit të tyre, e kanë ndjerë me dhembje, i janë përkushtuar me dëshirë, kanë jetuar dhe kanë luftuar me idealin e atdheut në gji.  Gjergj Fishta është njëri nga ta. Njeriu u letrave, piktor, arkitekt, ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje që kur ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”. Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e Fishtës u ndalua dhe qëndroi e tillë derisa u përmbys diktatura komuniste.

Poezia e tij kushtuar ATDHEUT është njëra ndër poezitë me vargjet më domethënëse mbi dashurinë për vendin, ndjenjat për të, sakrificën, bujarinë, dhe mallin për të.

Kjo poezi është botuar për herë të parë në vitin 1902 (libri i tretë i këndimit) prej Shoqërisë “Bashkimi”.

Për Atdheun

N’ty mendoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshëm kndon,
N’ty mendoj kur soset dita,
Terri boten kur e mblon.

Veç se ty të shoh un n’anderr,
Veç se ty, çuet, t’kam n’mendim;
Ndër t’vështira ti m’je qanderr,
Për ty i lehtë m’vjen çdo ndëshkim.

Tjera brigje, fusha e zalle
Une kam pa, larg tue ba shtek,
E përgjova tjera valle,
N’tjera lule syu m’u rrek;

Por nji fushë ma e bleret nuk shtrohet,
Por nji mal ma bukur s’rri,
Ma i kulluet nji lum s’dikohet,
Moj Shqypni, porsi i ke ti.

N’ty ma i bukur lulzon Prielli,
Janë ma t’kandshme stinë e mot;
N’ty bylbyli pa le dielli
Kndon ma ambel t’Madhit Zot.

Pa ty lules s’m’i vjen era,
Pa ty pema fryt nuk m’bjen:
Mue pa ty nuk m’del prendvera, 
Pa ty dielli nuk m’shkelxen. 

Dersa t’mundem me ligjrue
E sa gjall me fryme un jam, 
Kurr Shqypni, s’kam me t’harrue, 
Edhe n’vorr me t’permende kam.

Gjergj Fishta