Highlight Storie Inspirimi

Nëse do shkruanit një letër, vetës tuaj duke u kthyer në kohë, çfarë do ti thonit?

letër

E dashura vetja ime!

Po të kërkoj tash sa kohë, por nuk të gjej. Ku je fshehur? Mund të dalësh përsëri në skenë ?

Ku është ajo vajza e cila ëndërronte të rritej sa më parë? Ajo e cila mbathte taket e nënës dhe dilte para të gjithëve duke u thënë “Shikoni u rrita”, ajo e cila grimohej fshehurazi nga nëna e saj, e madje me buzëkuq bënte dhe faqet dhe përsëri i dukej vetja e rritur, dhe ashtu, ishte e gatshme të dilte dhe në lagje.

Tërë ditën e kalonte duke luajtur dhe asgjë nuk i dukej monotoni e rutinë vrastare, si tani.

Vajza e cila iu përkushtua mësimit që nga dita e parë që hyri në bankat shkollore Ajo e cila shoqërohej me të gjithë.”Komunikuese,e aftë dhe e dashur me të tjerët” ishin fjalët që ia shkruante mësuesja në libreze. Ku është ajo e cila e respektonte orarin e gjumit?

Ku i ke ëndrrat ?

Ajo e cila nuk frikësohej të provonte gjëra te reja. Ajo e cila ishte gjithmonë e buzëqeshur dhe sigurohej që këtë buzëqeshje ta shpërndante dhe me ata që e rrethonin.Më thuaj pse frikësohesh?

Ku është ai fëmijë i cili ëndërronte një jetë të lumtur? Kush na i ndau rrugët, që tani as veten nuk po e njoh?

Më thuaj ku gabova?

Ndoshta gabova sepse krijova një iluzion për një botë, e cila nuk të vret, apo që shpenzova energji me njerëzit e gabuar.Po kërkoj një përgjigje sepse humbja më e madhe që mund ta kemi, është humbja e vetes.

Po të kërkoj në kujtimet e fëmijërisë, në ato kukullat që ende i kam diku në sirtar,në filmat vizatimor,kudo por jo.Nuk po e gjej atë shpirtin tim të fëmijërisë.Kush do të thoshte se një ditë do vije dita që do e kërkoja atë naiven, e cila me padurim priste të rritej. E di asgjë nuk na doli ashtu si menduam.

Urrej të mbathi take, qoftë fjala edhe në ndonjë mbrëmje, më rehat ndihem e thjeshtë sesa të grimohem,tërë ditën kaloj duke lexuar apo në rrjete sociale dhe është një rutinë e cila po më vret ngadalë. Ka kohë që gjumin nuk e bëj si duhet. Shoqërohem ende me të gjithë e mundohem të përcjell buzëqeshje por përsëri nuk është e njëjtë.

Atëherë vdisja për tu rritur, tani vdes për ta gjetur atë fëmijën brenda vetes.

Duhet të kthehesh kudo që je fshehur, sepse kemi ëndrra për të realizuar.Më duhet ajo energjia që e kisha dhe besimi në vete.

Kemi shumë punë për të bërë por mbi të gjitha kam premtime, që me duhet t’i përmbaj, andaj po të lus vetja ime, kthehu e mos më lë të pres më shumë.

Autore Gzime Azemi