Highlight Të tjera

A ndikon besimi në shërimin e njeriut?

besimi

Ka  një pyetje që i ka munduar shkencëtarë për shekuj me radhë. Vetëm gjatë dekadave të shkuara, janë zhvilluar me mijëra studime, të cilat kanë pasur synim dhënien e një përgjigjeje mbi shërimin e njeriut duke besuar në Zot.

Që nga viti 1872, janë kryer me mijëra eksperimente dhe studime nga më të ndryshmet, për të vërtetuar nëse besimi dhe feja kanë ndikim shërues në shëndetin mendor dhe atë fizik të njeriut.

Sipas këtyre studimeve, koncepti i fesë përfshin besimin, ritualet dhe praktikat e përditshme të cilat kanë si synim kënaqësinë e Zotit.

Studimet kanë treguar se mes rritjes së besimit dhe përmirësimit të shëndetit, ekziston një lidhje përpjesëtimore, që do thotë se sa më i madh të jetë besimi, aq më shumë përmirësohet shëndeti.Që prej shumë kohësh, neurologët studiojnë ndikimin fiziologjik që ritualet ushtrojnë në tru, gjë e cila ka çuar dhe në lindjen e një shkence të re, e cila merret me studimin e nervave në gjendje përhumbjeje gjatë kryerjes së ritualeve.

Nëpërmjet injektimit të një lënde e cila ndjek qarkullimin e gjakut, është vënë re se qarkullimi i gjakut ndikohet nga aktiviteti nervor. Qëllimi i shkencëtarëve dhe studiuesve ishte përcaktimi i vatrave që aktivizohen në tru dhe ato të tjerat që e humbasin aktivitetin e tyre, kur njeriu përjeton momente të lartësimit të shpirtit dhe ndjen prezencën e Krijuesit.

Studiuesit zbuluan se gjatë përhumbjes lobi frontal i njeriut aktivizohej më shumë. Lobi frontal është pjesa ballore dhe konsiderohet si vatra e përqendrimit.

Por, ajo që nuk pritej, ishte qetësia që mbizotëroi pjesët e tjera të trurit, ku lobi parietal pothuaj u çaktivizua totalisht. Ky lob është përgjegjës për orientimin dimensional të trupit, ku fillon dhe ku mbaron, si dhe për marrëdhëniet e tij me gjithçka përreth.

Për këtë, njeriu, gjatë përhumbjes së tij shpirtërore, ndjen se të gjitha barrierat që e rrethojnë kanë rënë, se shpirti i tij është çliruar dhe shëtitë në hapësirën e gjerë, ndjenë madhështinë e Krijuesit dhe shkrihet me Universin.

Besimi i jep kuptim jetës së njeriut dhe e bën krijimin e tij të qëllimtë. Ai e ndihmon njeriun në përballjen me vështirësitë e jetës, kultivon tek ai optimizmin në jetën e tij, për shkak të ekzistencës së një Krijuesi, i cili e do krijesën e Tij. Për këtë, me gjithë vështirësitë e jetës, njeriu i sheh ato si të përballueshme, falë durimit, shpresës dhe besimit se ka një Zot të drejtë dhe të gjithëpushtetshëm për të na i pranuar lutjet dhe për të na i larguar vuajtjet.

E gjitha kjo shkakton reduktim të tensionit dhe presionit nervor, duke stimuluar prodhimin e hormoneve të dobishme për trupin.

Në shoqëritë tona, ka njerëz të cilët nuk besojnë në asgjë tjetër përveç ilaçit material, duke mohuar ndikimin e arsyes, shpirtit, fesë dhe besimit. Sakaq, ekzistojnë të tjerë të cilët nuk i besojnë fare ilaçit material, duke u mbështetur vetëm tek fuqia e besimit dhe e fesë. Diçka të tillë, e mendojnë si mbështetje tek Zoti. Në fakt, të dy grupet gabojnë.

Ajo që duhet, është që të kërkojmë ndihmën e terapisë mjekësore, duke e mbështetur atë me lutje dhe rituale shpirtërore, të cilat përshpejtojnë shërimin.

Në trup gjendet një organ, i cili kur është në gjendje të mirë, i gjithë trupi është në gjendje të mirë, e kur sëmuret, sëmuret i gjithë trupi. Ky organ është zemra.

Zemra  në këtë rast  nuk është zemra që pompon gjakun, por është zemra dhe bota e brendshme e njeriut. Prandaj, nëse bota e brendshme dhe esenciale e njeriut është në rregull, i tillë do të jetë dhe shëndeti i tij fizik.