Highlight UNIK +

“Mos e kurse dashurinë, sepse zemra është ajo që rreh e para dhe ndalet e fundit”!

dashuria
Rinora Kurhasku Haxhiavdyli

Gazetare & studiuese e çështjeve sociale

Jeta e secilit njëri ndahet në tri faza ose etapa, atë të fëmijërisë, rinisë dhe pleqërisë. Asnjëri nuk e jeton jetën ashtu siç dëshiron apo pretendon, por më e rendësishme është përpjekja për ta fituar betejën, sesa një betejë e fituar lehtë! E zgjodha këtë temë, sepse pak ditë më parë takova një grua e cila kishte moshë të thyer. Ajo kishte kaluar dy faza nëpër të cilat vuajti, qau, u gëzua, u rrëzua, u ngrit.. por që mes rreshtat thotë që në këtë moshë : ‘është në këmb por që mezi ngritet..’

Para ca ditësh sapo prisja një miken time të dilja për kafe, në rastësi tek një dyqan takova një grua e cila, përkundër moshës që kishte, mbante mbi supe një qëndrim që rrallë njerëz kanë ose duan ta kenë. Kishte 60 vite, por mosha nuk tregonte vitet e saj, por jetën si “eklips”, “eklips” i cili vazhdonte bënte dritë përkundër dritës që po shuhej!

Sa po i ndihmoja të hapte çantën, sepse i kishte të dyja duart e zëna më tha : “Qenke vajzë e  edukuar”, ja ktheva me një të qeshur të lehtë dhe përgjigje të shkurtër -të gjitha vajzat janë! Ma ktheu : qenke dhe modeste, prap qesha.. dhe kështu dolëm nga dyqani unë të prisja miken time ajo motren e saj.

Biseda vazhdoi por pa ekzagjëruar lavdërimet, sepse në të tilla raste nuk ndihem rahat. Ajo siç duket e kuptoi, duke shikuar djalin tim teksa po i rregulloja kapelën, më pyeti nëse isha në punë, i tregova që po edukoja femijën tim të vogël dyvjeçar. Buzeqeshi dhe me falenderoi : Faleminderit që po mundohesh të edukosh një brez kaq delikat, në të kundërten ti po sakrifikon punën dhe jetën për ti kushtuar fëmijës vëmendje apo?! E rrotullova kokën si e habitur dhe i  thash po ai ësht fëmija im, nëse une nuk e edukoj kush tjeter mund ta njoh më mirë se një nënë procesin e zhvillimit të fëmijës së saj?! Ma ktheu prap me të qeshur : Nuk më kuptove më tha, dhe vazhdoi duke më spjeguar se çfarë kishte në mendje. Unë vetë jam nënë dhe e kuptoj se në ç’pozitë ndodhesh tani. Ti po lufton me veten sepse ke deshirë të punosh, ndërkohë që më bazike e konsideron edukimin dhe zhvillimin e fëmijës tënd, i kushton kohë, e ushqen, i ruan gjumin, kujdesesh për shëndetin e tij, pastertinë, po ashtu mundohesh në çdo kusht t’i plotësosh nevojën për të qenë fëmijë. Duke e pohuar atë që zonja tha, i thash po ashtu është, dua që të edukohet me dashuri, të rritet i shëndetshëm e mbi të gjitha të ketë fëmijëri të lumtur. Vazhdoi duke më bindur për atë që më shpjegonte, që ndërkohë ngutej të fliste nga meraku se mos ndaheshim shpejtë dhe na ngelej biseda në gjysmë. Duke e kuptuar arsyen e saj i thash vazhdo të flasësh sepse nuk iki askund pa e përfunduar atë që ke nisur të më tregosh! Kështu vazhdoi me fjalët e gërshetuara në pytje : Ne jemi njerëz dhe nëse ne nuk e kuptojmë dhe mirëkuptojmë njëri – tjetrin kush tjeter do ta bëjë? Tunda kokën dhe i’u përgjigja : Po pra, këtë mendoj edhe unë, në fakt gjithmonë mundohem të arsyetoj njerezit për gjerat që bejnë qoftë me apo pa qëllim të caktuar, nëse ne kemi fëmijeri të lumtur ose rritemi me kujdes të madh sigurisht që do të kemi një rini të shëndoshë, dhe nëse një rini është e shëndoshë askush nuk do të brengoset për shoqëri në përgjithësi, sepse të gjithë do të jetojnë të lirë, të vendosur dhe të ndërgjegjshëm në çdo veprim. E habitur në përshtatjen e arsyes së njejtë, më falenderoi prap me fjalët : Kam nderin që takoj një zonjë të re kaq optimiste dhe vlerësuese. Qesha, dhe ula syt nga toka, duke fshehur turpin e lavdates. Ngrita kokën dhe i thash faleminderit, juve!  Vazhduam biseden dhe siç duket kjo ishte dhe fundi i bisedes tonë.

Më tha po të pyes troç : Qfarë mendimi ke për pleqërinë, ose për një të moshuar si une? I’u përgjigja : Qfarë të them, ta mendosh moshën e tyre, ështe e mundimshme, lëre më ta jetosh jeten e tyre. Kalojnë gjithcka në jetë dhe kur plaken, kërkojnë dashuri, respekt dhe mbështetje, ne as nuk pasurohemi as nuk varfërohemi nëse i dhurojmë këto treja bashkë pa ndarë asnjërën. Të them të drejten ky ishte përqafimi pothuajse më i sinqert që kisha marrë kohën e fundit, më shtrengoi aq shumë, më përqafoi në dy faqe dhe më puthi në ballë me lutjen : U plaksh siç është më së miri! Oh sa e çliruar ndihesha dhe nuk e kuptoja arsyen.. u përshendetem por.. pa e njohur njëra tjetren!

Gjatë natës, duke menduar për biseden që bëra gjatë ditës, më bëri përshtypje falenderimi që më bëntë për çdo koment që bëja. Mendova pytjet, të treja kishin të bënin me jetën, njëriun, dashurinë. Si tip analitik dhe detaliste arrita të logjikoja dhe të analizoja pytjet e zonjës, të cilat sipas mendimit tim ishin të thella, por të arsyeshme.

Në pytjen e parë kërkoi të dinte se çfarë nëne jam, në mënyrë që të kuptonte çfarë fëmijërie kisha kaluar!

Në pytjen e dytë kërkoi të kuptonte se çfarë njëriu kisha arritur të bëhesha, gjykuese apo arsyetuese?

Dhe në përgjigjen e fundit, ajo më uroi, më falenderoi dhe bekoi me fjalët dhashtë Zoti të presim pleqëri të gjithë!

Askush nuk ka të drejtë të shënjetërohet, vetëvlerësohet apo vetëmohohet, por ndonjëherë, mjafton diçka ose dikush që ta kujtojë se kush ishe, kush je dhe kush pretendon të bëhesh!

Po e mbyll me një moto timen : “Mos e kurse dashurinë, sepse zemra është ajo që rreh e para dhe ndalet e fundit”!