Highlight UNIK +

Mekanizmi i formimit të stresit dhe simptomatologjia

stres
Dr. Bujar Berisha

Psikiatër me qasje psikoterapeutike

Termi stres për herë te parë është përdorur nga Hans Selye ( 1907 – 1982), mjek endokrinolog austriak. Sipas Selye stresi paraqet një “përgjigje jo specifike të organizmit përballë një kërkëse”. Selye  përshkruan tre reaksione të një pas njëshme të organizmit përballë situatave stresuese

  1. alarmin,
  2. rezistencën dhe
  3. raskapitjen

 

Alarmi : Që nga momenti i konfrontimit me një situatë stresante, nga aspekti fiziologjik kemi reagim të organizmit përmes lirimit të hormoneve nga gjëndra mbi veshkore (katekolaminat). Këto hormone kanë efekte në zemër duke rritur frekuencën kardiake dhe tensionin e gjakut pastaj rritet niveli i vigjilencës, i temperaturës trupore e cila provokon vazodilatatim të enëve të gjakut në muskuj. Këto ndryshime kanë për qëllim të dërgojnë sa më shumë oksigjen në muskuj dhe zemër, për të përgatitur organizmin që të reagoj.

 

Rezistenca : Pas alarmit dhe përgatitjes së organizmit për reagim, hynë në punë një aks tjetër neurohormonal (aksi cortikotrop) i cili përgatit organizmin për harxhimet energjetike që do të nevojiteshin si përgjigje ndaj stresit. Me sekretimin e glukokortikoideve detyra e te cilave është për të rritur sheqerin në gjak, në këtë mënyrë i japin organizmit (muskujve, zemrës dhe trurit) energjinë e nevojshme për të përballuar stresin. Sasitë e liruara të hormoneve në gjak detektohen nga receptorët e sistemit nervor qendror i cili i rregullon përmes mekanizmave te tij adaptues.

 

Rraskapitja : Nëse situata stresante vazhdon ose intensifikohet, kapacitetet e organizmit nuk arrijnë të përballojnë dhe mund të çrregullohet funksionimi hormonal. Ne këtë fazë flitet për stres kronik. Për t’i bërë ballë situatave organizmi prodhon hormone në vazhdimësi  mirëpo receptorët e sistemit nervor qendror bëhen më pak të ndjeshëm ndaj hormoneve (glukokortikoideve), kështu që ka rritje të tyre në gjak. Me këtë rast organizmi është i përmbytur nga hormonet dhe njëkohësisht është aktiv në vazhdimësi, organizmi fillon të lodhët deri në rraskapitje.

Kërkimet e më vonshme kanë kompletuar punimet e Selye dhe kanë vënë në dukje se përgjigjja në stres nuk është vetëm e determinuar nga reaksionet fiziologjike, mirëpo çdo situatë stresuese dhe reaksionet biologjike qe ka shkaktuar kjo situate janë të deponuara në memorie për tërë jetën. Dmth Përballë çdo situate ose kërcënimi ne përgjigjemi përmes stimulimit hormonal në të njëjtën formë nga ajo e deponuar në memorie dhe e krahasojmë me situatën prezente.

Klinika e Stresit

Simptomat : Mekanizmat fiziologjik që hyjnë në lojë përballë një situate stresi mundën me qenë shkatërruese për organizmin. Pas disa javësh mund të paraqitën simptome fizike, emocionale, intelektuale dhe në sjellje

Simptomat fizike : Dhimbje ( kolika, dhimbje koke, muskulare artikulare etj), crregullime të gjumit, apetitit, djersitje etj

Simptomat emocionale : Ndieshmëri dhe nervozë, ankth, ekscitim, mërzitje etj

Simptomat që prekin intelektin : Vështërsi në koncentrim, gabime banale, harresa, vështërsi për të marrë iniciativa etj

Simptomat në sjellje :  Ndryshime në stilin e të ushqyerit, sjellje violente dhe agresive, izolim social, konsumim te produkteve qetesuese ose ekcituese (kafe, duhan, alkool, sedativ, anksiolitik)

 

Sëmundjet bashkshoqëruese

  • Gjendja e stresit kronik me kohën mund të kaloj në sindromë metabolike ( rritje në peshë)
  • Ekzistojnë relacione në mes te disa faktorëve profesional të stresit dhe riskut të aksidenteve kardio – vaskulare.
  • Depresioni dhe ankthi janë në relacion të ngusht me stresin
  • Sëmundjet muskulo – skeletike gjithashtu jane në relacion me stresin