Highlight Storie Inspirimi Të tjera

Vajza kosovare që pushtoi Botën!

Majlinda Kelmendi


E lindur në Pejë, Majlinda Kelmendi, kampionja xhudiste është një ndër atletet e para që garojnë në emër të Kosovës, qysh nga deklarimi i Pavarësisë në 2008.

Në vitin 2009, Kelmendi fitoi medaljen e artë në Kampionatin Botëror Junior në Paris. Në vitin 2010, ajo fitoi vendin e pestë në Kampionatin Botëror Junior në Marok dhe përfundoi e 9-ta në kategorinë 52 kg në Kampionatin Botëror të Xhudos 2010 në Tokio të Japonisë. Ajo mundi Jaana Sundberg në raundin e parë të Olimpiadës 2012, por më pas humbi nga Christianne Legentil në raundin e dytë.

Në Kampionatin Botëror të Xhudos 2013, Kelmendi i dha Kosovës titullin e parë të botës së xhudos, ndërsa ajo mundi Erika Miranda të Brazilit në ndeshjen e medaljes së artë prej 52 kg në Rio de Janeiro.

Në shkurt 2016, ajo fitoi medaljen e artë në Grand Slam Paris, duke e bërë titullin e saj të tretë radhazi pas fitores në 2014 dhe 2015. Dy muaj më vonë, ajo fitoi një medalje të artë në Kampionatin Evropian të xhudos 2016 në Kazan të Rusisë. Në Olimpiadën Verore 2016 ajo u bë atletja e parë kosovare që fitoi një medalje të artë, ose ndonjë medalje, për Kosovën në Lojërat Olimpike.

Tashmë një emër i dëgjuar në mbarë Kosovën e më gjerë, Majlinda sukseset e saj ia atribuon trajnerit të saj Dritan Kuka që është edhe një ndër mbështetësit kryesor të saj, mirëpo sipas një intervisteje për Telegrafi ajo tha që edhe përvoja në sportin e xhudos ka rëndësi të madhe.

Për të arritur sukses në secilën fushë të jetës natyrisht që duhet shumë mund e përkushtim, e rasti i kampiones botërore nga Kosova e tregon këtë më së miri!

Në një intervistë për revistën „Times“ ajo tregoi peripecitë që duhet ti kaloj çdo ditë për të arritur drejt qëllimit të saj. “Vijoj trajnimin çdo ditë për rreth 4 deri 6 orë për shumë vite me radhë, por kam kuptuar që puna ime më është shpërblyer”. Ajo tha se kur karriera e saj si xhudiste të përfundojë do të angazhohet në trajnimin e gjeneratave të reja të atletëve duke i treguar atyre “bukuritë e sportit të xhudos“.

Majlinda tashmë ka arritur ta bëjë krenarë gjithë kombin shqiptar, dhe iu urojmë suksese të mëtutjeshme në sport e në jetë!