Highlight Storie Inspirimi

Magjia e zemrës

magjia e zemrës

                                                 
“Mirënjohja është kujtesa e zemrës.”

~Jean- Baptiste Massieu

Kur e praktikon mirënjohjen për një kohë të gjatë, vjen një çast që ti e ndjen atë thellë, brenda në shpirt, në mënyrë krejt të natyrshme e vetvetiu, pa bërë ndonjë përpjekje të veçantë. Ajo kthehet në një natyrë të dytë.

Por ushtrimi i sotëm magjik do ta përgjysmojë kohën që nevojitet zakonisht për të arritur këtë shkallë mirënjohjeje.

Ushtrimi i Zemrës Magjike është programuar që të rritë në mënyrë të fuqishme thellësinë me të cilën e ndieni mirënjohjen, duke e përqendruar mendjen në pjesën ku ndodhet zemra, ndërkohë që thoni fjalën magjike faleminderit.

Kërkimet shkencore kanë treguar se nëse gjatë kohës që ndien mirënjohje e përqendron vëmendjen te zemra, ritmi i saj bëhet menjëherë shumë më i baraspeshuar e më harmonik, gjë që ndikon në mënyrë shumë të dobishme te shëndeti dhe te sistemi juaj imunitar. Ky është një fakt që tregon se çfarë force fshihet pas Zemrës Magjike.

Për të praktikuar ushtrimin e Zemrës Magjike, përqendrojeni vëmendjen në pjesën e trupit tuaj ku ndodhet zemra. Nuk ka rëndësi nëse përqendroheni në pjesën e brendshme apo të jashtme të trupit. Mbyllini sytë, sepse kështu do ta keni më të lehtë, dhe ndërkohë që e mbani vëmendjen të përqendruar te zemra juaj thoni fjalën magjike faleminderit. Pasi ta keni bërë këtë disa herë, nuk do t’ju duhet t’i mbani më sytë mbyllur, por si rregull i përgjithshëm mirënjohja ndihet më thellë kur receptorët e syve tuaj nuk ngacmohen nga mjedisi përreth.

~Sekreti – Magjia / Rhonda Byrne