Highlight UNIK +

Kujdes – Mendja është më e mprehtë se Shpata!

kopja
Sheki Useini

Mendimtarë i lirë / Meditues

Të menduarit është vegla jonë më e mprehtë. Nëpërmjet të menduarit ne mund të bëjmë biznes, të shkruajmë libra, të ndërtojmë kompjuterë, të operojmë njerëz dhe shumë gjëra tjera. Por, po ashtu të menduarit që qarkullon nëpër kokën tonë, mund të na shkaktojë edhe vuajtje të mëdha dhe ndikimi i tyre mund të bëhet ngarkesë dhe pengesë e padurueshme! Një mendje e shfrenuar në jetë do ti ngjante një elefanti të hutuar në një shitore porcelani!?

Ju paramendoni tani se çfarë dëmi mund të bëjë!

Megjithatë, kjo nuk është diçka e re për njerëzimin dhe qartësia për këtë daton që para disa mijëra viteve. Gjithmonë kanë thënë se ti je ajo çka mendon. Ose edhe më saktë: ti je ajo çka mendon në pjesën më të madhe të kohës. Ajo çka ndodhë në jetën tënde është krijuar nga mendimet e tua. Pra, ajo që krijojmë atje jashtë, kjo së pari prodhohet në brendinë e secilit. Megjithatë, shumica e njerëzve vazhdojnë të mendojnë se për të qenë i lumtur, i lirë, fatlum, i pavarur dhe i suksesshëm, duhet të vijë së pari diçka nga jashtë!

Por, fatmirësisht nuk është kështu! Pasiqë, po të ishte kështu, atëherë pushteti për atë se a duhet të jem i lumtur, i lirë, i suksesshëm, e tij. do të qëndronte në atë çka është jashtë dhe jo në brendinë tonë. Me fjalë tjera kjo do të thoshte se ne do ishim të nënshtruar absolutisht rrethanave, influencës së tjerëve dhe do të qëndronim viktimë e tyre. Mirëpo askush nuk ka lindur apo nuk është i planifikuar nga Perëndia që të jetë viktimë e të tjerëve, por neve na është dhuruar edhe mundësia për të qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në këtë proces, pra në procesin e ndërtimit të një jete që e meritojmë. A do ta shfrytëzojmë këtë mundësi apo jo, për atë le të vendos secili sipas vullnetit të lirë. Sidoqoftë në këtë qëndron një shans i mrekullueshëm të punojmë si projektues i jetës, që ajo të ndriçojë me bukurinë e saj për të mirën tonë.

Nëse gjithçka që unë tani shohë, ajo që jam dhe ajo që kam, është rezultat i të menduarit tim në orët, ditët, javët, vitet e fundit, atëherë mundi pra ta ndryshoj të menduarit tim tani, pra projektimin tim dhe që tani të filloj të gëzohem për rezultate të reja në të ardhmen. A po jo? Po, kjo është e saktë. Nuk ka dyshim këtu. Të menduarit, të folurit dhe të vepruarit tënd, do ta përcaktojnë në “TANI“ se si do të jetë pastaj e ardhmja jote. Kjo varet prej teje. Ti në vijë të parë nuk je përgjegjës për atë se çka ndodhë atje jashtë, por përgjegjësi të madhe mban për ate se çka ndodhë në brendinë tënde! Përcakto vetë se çka mendon.

Prandaj mendo ti vetë për veten dhe jetën tënde, mos e dorëzo këtë vegël të shtrenjtë por edhe të rrezikshme në duart e të tjerëve. Të menduarit nuk është punë e lehtë. Kjo bile është edhe një arsye serioze, pse shpesh të menduarit ju a lëmë të tjerëve. Mos e dhuro këtë pushtet në duart e të tjerëve. Të tjerët mundet në këtë apo atë formë, me qëllim apo pa të, të ushtrojnë pushtet mbi juve apo të ketë keqpërdorime.

Por nga ana tjetër, ajo se sa pushtet do të ushtrojnë njerëzit tjerë, varet nga ajo se sa do të ju lejosh ty. Në fakt ti vendos vetë se sa pushtet do të dhurosh të tjerëve dhe sa do të mbash për vete. Kështu për shembull befasisht të thotë një tjetër diçka të papëlqyeshme dhe ti papritmas nuk je më ai që ishe pak çaste më parë ! Ti je tani i ofenduar, i trishtuar, mllefosur, i neveritur. E brendshmja tani më e humbi qetësinë. Ofendimi, trishtimi, mllefosja dhe neveritja u bënë pjesë e botës së brendshme. Por, kush e lejoi këtë ? Ai tjetri, atje jashtë ?! Jo, jo, ti e bërë këtë. Ti e dorëzove pushtetin mbi brendinë tënde te ai tjetri. Gjendja jote emocionale dhe të menduarit ndryshuan. Ti e vendos se çka ndodhë dhe sa thellë mund të depërtojë diçka apo dikush në brendinë tënde. Ti mund të jesh gjithmonë protagonisti kryesorë, nëse krijon vetëdije për këtë.

Nëse vazhdon ta mjeshtrosh këtë atëherë jeta do të shpërblehesh. Jeta nuk e harron kurrë dhuratën për udhëtarin që mendon me kryet e vetë.