Highlight Të tjera

Hapi më i rëndësishëm drejt pasurimit

Analiza e saktë e mbi 25 mijë burrave dhe grave që kishin përjetuar dështimin, nxjerr në pah faktin se mungesa e vendimit ishte në fillimin e listës së 30 shkaqeve kryesore të dështimit. Ky nuk është një citim i rëndomtë i një teorie, ky është një fakt. Zvarritja, e kundërta e vendimit është një armik i përbashkët që praktikisht çdo njeri duhet ta mposhtë.

Analiza e disa qindra njerëzve që kishin grumbulluar pasuri përtej kufirit një milion dollarë, nxorën në dritë faktin se secili prej tyre kishte zakonin e marrjes së menjëhershme të vendimeve dhe të ndryshimit të këtyre vendimeve ngadalë, nëse dhe kur ato ndryshoheshin. Njerëzit që nuk arrijnë të grumbullojnë të holla, pa përjashtim, kanë zakonin e marrjes së vendimeve, nëse i marrin ndonjëherë, shumë ngadalë dhe të ndryshimit të atyre vendimeve shpejt dhe shpesh.

Shumica e njerëzve që dështojnë në grumbullimin e të hollave të mjaftueshme për nevojat e tyre, janë në përgjithësi lehtësisht të ndikuar nga “mendimet” e të tjerëve. Ata lejojnë gazetat dhe fqinjët e tyre “thashethemexhinj” që “të mendojnë” për ta. “Opinionet” janë mallrat më të lira në këtë botë. Gjithkush ka një tufë opinionesh të gatshme për t’ua dhuruar të gjithë atyre që do t’i pranonin ato. Nëse ndikoheni nga “opinionet”, kur merrni vendimet, ju nuk do t’ia dilni mbanë në asnjë sipërmarrje, dhe aq më pak në atë të shndërrimit të dëshirës suaj në para.

Nëse ndikoheni nga mendimet e të tjerëve, ju nuk do të keni dëshirat tuaja. Këshillohuni me veten, kur të filloni të vini në praktikë parimet e përshkruara këtu, duke marrë vendimet tuaja dhe duke i ndjekur ato. Mos besoni askënd me përjashtim të anëtarëve të grupit tuaj të “mendjes mjeshtërore”,  dhe jini shumë të sigurt në zgjedhje e këtij grupi, zgjidhni vetëm ata që do të jenë në mirëkuptim të plotë dhe harmoni me qëllimin tuaj.

Miqtë e ngushtë dhe të afërmit, edhe pse nuk e bëjnë qëllimisht, shpesh pengojnë nëpërmjet “opinioneve” dhe nganjëherë përmes talljes, e cila ka për qëllim të bëjë vetëm pak humor. Mijëra burra dhe gra mbartin komplekse inferioriteti gjatë gjithë jetës, sepse disa dashamirës, por injorantë, shkatërrojnë besimin e tyre përmes “opinioneve” ose qesëndisjeve.

Ju keni trurin dhe mendjen tuaj. Përdoreni atë dhe merrni vendimet tuaja. Nëse keni nevojë për fakte ose informacione nga njerëz të tjerë për t’jua bërë të mundur që të merrni vendimet, si ndoshta do t’ju duhen në shumë raste, merrini këto fakte, ose sigurojeni informacionin që ju duhet, në heshtje, pa e zbuluar qëllimin tuaj.

Është karakteristikë e njerëzve që kanë shumë pak njohuri, që të përpiqen të japin përshtypjen se kanë shumë njohuri. Njerëz të tillë në përgjithësi flasin shumë dhe dëgjojnë shumë pak. Mbajini sytë dhe veshët e hapur dhe gojën mbyllur, nëse doni të fitoni zakonin e vendimmarrjes së shpejtë. Ata që flasin shumë, nuk bëjnë asgjë. Nëse ju flisni shumë se sa dëgjoni, jo vetëm që e privoni veten nga shumë mundësi për të grumbulluar njohuri të dobishme, por gjithashtu ua zbuloni planet dhe qëllimet tuaja njerëzve që do të ndienin kënaqësi të madhe, nëse ju mposhtin, sepse ju kanë zili.

Mos harroni gjithashtu se çdo herë që hapni gojën në prani të një personi që ka shumë njohuri, shfaqni atij personi të gjitha njohuritë tuaja ose mangësitë që keni. Dituria e vërtetë zakonisht spikatet nga modestia dhe heshtja.

Mbani në mend faktin se çdo person me të cilin shoqëroheni, është, ashtu si ju, duke kërkuar mundësinë për të grumbulluar para. Nëse ju flisni shumë lirshëm për planet tuaja, mund të habiteni kur të mësoni se ndonjë person tjetër ua ka kaluar në arritjen e qëllimit tuaj duke vënë në veprim përpara jush planet për të cilat keni folur pa u matur.

Le të jetë një nga vendimet tuaja të para të mbani gojën mbyllur dhe veshët e sytë hapur. Si një kujtesë ndaj vetes për ta ndjekur këtë këshillë, do të ishte e dobishme nëse kopjoni shënimin e mëposhtëm me shkronja të mëdha dhe vendoseni diku ku do ta shihni çdo ditë.

“Thuajini botës se çfarë keni ndërmend të bëni, por më parë realizojeni atë”