Highlight UNIK +

Gjithçka harrohet kur kupton se jeta është dhurata më e çmuar

Xhuli Spahiu
Xhuli Spahiu

Motivuese

Gjithçka harrohet kur kupton se jeta është dhurata më e çmuar.

Atëherë, nuk kemi çfarë presim, le të ngjyrosim e furnizojmë jetët tona me energjitë dhe forcat e mendimit pozitiv. Duke i hapur krahët drejt artit të së bukurës, drejt lumturisë, drejt paqes e progresit tonë.

Le të shijojmë kështu mëngjeseve të hareshëm e plot elan e zell për të përmbushur me sukses detyrat dhe planet tona të ditës. Le t’i puthim panoramat piktoreske të mëngjesit dhe mbrëmjes!

Dhe, mos harroni, mos ngurroni t’ia falni një përqafim diellit, në mënyrë që “t’ia vidhni” atij rrezet për t’i stolisur e ndriçuar fytyrat tuaja! Dhe vazhdimisht buzëqeshni!!!

Pra, o njeri, jeto për të sotmen! Mos jeto në të shkuarën, mos e mbaj mendjen tek ato gjëra që të shkuan ters, tek dështimet apo zhgënjimet! Njëherazi, mos krijo ide fikse për të ardhmen dhe mbi të gjitha, për të ardhmen e largët! Mos u streso dhe mos krijo ankthe për atë që do kohë që të vijë!

Njerëzit e lumtur jetojnë për të tashmen. Ata kanë një mendësi pozitive. Nëse nuk mund të jesh i lumtur sot, atëherë si mendon se do të jesh i lumtur nesër?

Përse vallë mendon se gjërat nesër do të jenë ndryshe? Zgjidh lumturinë! Mos ki frikë që të rivlerësosh qëllimet dhe objektivat e tua në jetë. Imagjino jetën tënde si një histori që mund ta realizosh dhe ta ndryshosh sa herë që vendos ta bësh një gjë të tillë. Kjo mënyrë fleksibile kërkon një mendësi shumë pozitive dhe një mendje të hapur. Duhet që në mënyrë të vazhdueshme dhe aktive të zgjedhësh gjithmonë që të jesh i lumtur. Gjithmonë ke një mundësi tjetër, ke lirinë për të zgjedhur mënyrën në të cilën mund të zgjidhësh një situatë dhe te jetosh i lumtur…

Lumturia mund të mësohet, por gjetja e domethënies dhe e një qëllimi në jetë është rruga drejt lumturisë dhe jo anasjelltas. Njerëzit e lumtur vlerësojnë dhe e kuptojnë se të jesh i lumtur, i shton vite jetës tënde dhe i jep jetë viteve të tua…

Qëllon shpesh që mes miqsh a njerëzish të afërm të na pyesim apo të drejtojmë pyetjen: a jeni të lumtur? Kjo është një pyetje që, edhe pse pa zë, ia bëjmë shpesh vetes në situata të ndryshme jetësore. Apo edhe në momente reflektimi. Në fund të fundit, është situata, gjendja shpirtërore që e kemi ëndërr të gjithë, që e dëshirojmë, për të cilën luftojmë.

Gjithçka harrohet kur kupton se jeta është dhurata më e çmuar.