Highlight UNIK +

Femra nuk e ka veç një ditë!

Miranda Dobraj

Shkrimtare

Sot rri në dritare t’u shiku se si shumica e femrave në vendin tim dalin me festu. Nëpër shtëpi sot bëhet tollovi, dhe blihen aq lule, sa kishte grindje, dhe bëhen aq urime për aq kohë sa u bënë mallkime. Një grua që tek ne në shumicen e rasteve konsiderohet si fabrikë prodhuese, sot në këtë ditë trajtohet mbretereshë, merr lule, poaq sa kishte marrë shuplaka, merr përqafime për aq kohë sa kishte duruar dhunime banale.

Sot gjinisë se bukur, se vetëm të bukur na i thonë, unë do i them e madhërishme veç nëse e dëshmojnë veten, se bukuria e tyre është shumë më e vogël se madhështia. Për mua femrat janë të madhërishme, aq më shumë nënat shqiptare. Si mundet një nënë e një populli tjetër të duroj kaq shumë tortura sa duron një femër, grua e mbi të gjitha nënë shqiptare. Por këto femra po e humbasin madhështinë dhe vlerën e tyre pikërisht në durimin e tepruar. Ajo duron të nëpërkëmbet nëpër këmbët e secilit prej nesh, sepse është grua dreqi ta marrë dhe në derën e huaj duhet të duroj aq sa nuk duron as djalli, vetëm që t’i lejohet të vijë në vizitë ndonjëherë në derën e fëmijërisë, pikërisht në atë derë ku shtëpia tashmë nuk është e saj, por e vëllezërve dhe kunatave.

Po ti? Ku mbetesh ti?…

Jo, të lutem sot mos i zgjat duart për të marrë lule, nëse për 12 muaj pa një ditë ke marrë dhunime shpirtërore, psiqike e fizike. Sot mos kalo nëpër kurora lulesh, sepse në ditët tjera ekziston gjasa më e madhe që ato kurora të të bëhen kurora varri. Dhe nuk të them veç sot mos festo, madje nuk të them veç sot revolto, nuk të them veç sot ta përfundosh këtë çështje gjinish të djallëzuar.

Por, unë të them sot zgjohu, merre timonin e jetës, freno para atyre që të dhanë lumturi në secilën ditë të vitit dhe mos harro që çdo ditë t’i përqafosh, ndërsa jep gaz para atyre që të shkelen, torturuan e maltetruan. Ata të shkelen ty me dhunë, ti shkeli me mospërfillje. Tregoju që je e zonja për të marrë krahë, sepse shtëpia dhe qëndrimi i yt është pikërisht aty ku do ti dhe kur do ti. Ti je bukuria në virtyte dhe madhështia në mendje. Lëre bukurinë tënde ta bëj botën më të bukur në virtyte, dhe madhështinë tënde ta ndryshoj historinë e prapambetur të kësaj bote.

Tregoji botës që ti nuk je gruaja që luan rolin e princeshes për 8 Mars. Nuk i harron torturat e 364 ditëve të vitit me ca shtirje shkrimesh, dhuratash e përqafimesh. Ti je më shumë se gjithçka, je shtylla e gjithçkaje dhe para madhështisë tënde duhet të përulen të gjithë ata që u tallen me ty. Ti sot historinë e jetës krijoje ashtu siç ti mendon që është më së miri. Të lutem shumë që sot dhe për të gjitha ditët në vazhdim GUXO.