Highlight UNIK +

Emocionet janë “ngjitëse”, si mund të mbrohemi?

emocionet
Brikena Krasniqi Hoti

Specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë

Shumica e njerëzve mendojnë se emocionet e tyre janë unike, se ato varen kryesisht nga mendimet apo nga personaliteti i tyre. Shumë prej tyre nuk e kanë idenë se gjendja e tyre emocionale ndikohet lehtësisht nga gjendja emocionale e personave me të cilët rrinë ose nga ata me të cilët rrethohen.

Ne të gjithë priremi të nënvlerësojnë faktin se sa lehtë mund të ndikohemi nga faktorët e jashtëm në përgjithësi, dhe mendojmë se jemi të imunizuar nga reflektimi i gjendjes emocionale të njerëzve përreth nesh.

A ju ka ndodhur të qani, pa ndonjë arsye, vetëm se po e shihni dikë tjerë afër jush duke qarë?  Apo të shihni dike tjetër duke qeshur me shpirt dhe ju shkon buza në gaz pa e vërejtur? Ndoshta edhe nuk e keni menduar shumë këtë. Por, bëni mirë t’i kushtoni pak vëmendje sepse kjo ndërlidhet edhe me mirëqenien tuaj emocionale.

Është normale të mos e shohim veten në këtë mënyrë dhe të mendojmë se vendosim vet se si ndihemi për të gjitha llojet e gjërave, ku në të vërtetë ne  “manipulohemi” gjithë kohën nga një lloj “virusi social”.

Ne ndikojmë në emocionet e njëri-tjetrit vazhdimisht dhe emocionet janë ngjitëse. Ndikimi i gjendjes emocionale të një personi tjetër, për mirë ose për keq është krejtësisht e natyrshme dhe është pjesë e çdo ndërveprimi njerëzor, por shpeshherë është e pavetëdijshme.

Radari i transferimit të emocioneve mund të arrij deri në tre shkallë: kështu kur ju jeni i/e buzëqeshur dhe i/e lumtur, kjo do të ndikoj dhe të ngjallë ndjenja gëzimi tëk shoku juaj, shoku i shokut tuaj dhe shoku i shokut të shokut tuaj. E mahnitshme apo jo?

Shumë studime në fushën e psikologjisë kanë dëshmuar se çfarë ndikimi të fuqishëm ky lloj “virusi social” mund të ketë në marrëdhëniet tona familjare, me partnerin, miqësitë që kemi, ekipet e ndryshme sportive, marrëdhëniet e biznesit si dhe grupet e të gjitha llojeve.

Këtë aftësi ngjitëse të emocioneve, psikologët e quajnë një proces tre-hapësh, përmes të cilit ndjenjat e një personi transferohen tek një person tjetër. Faza e parë përfshin mimikërinë e pavetëdijshme, gjatë së cilës individët imitojnë shprehjet jo-verbale të njëri-tjetrit, duke përfshirë qëndrimin, shprehjet e fytyrës dhe lëvizjet. Më pas, duke parë dike me vetulla të vërenjtura, ka shume gjasa që edhe ju të mërroleni dhe më pas të ndiheni paksa i trishtuar.  Kjo ndodhë për asye se levizjet ne muskujt tuaj të trupit ose fytyrës kanë dërguar sinjale në trurin tuaj duke bërë që të përjetoni ndjenjat e caktuara, në të njëjtën mënyrë (ndonëse ne nivel më të ulët) sikurse të ishit duke i bërë këto reagime ju qëllimisht.  Kështu në fazën përfundimtare, individët ndajnë përvojat e tyre, derisa emocionet dhe sjelljet e tyre të bëhen të sinkronizuara. Kështu, kur takoni një koleg në një ditë të keqe në punë, duke u ekspozuar ndaj sjelljeve joverbale të kolegut tuaj, ju do të filloni të transformohuni në një gjendje të pakëndshme emocionale, në mënyrë të pavetëdijshme. Megjithatë, kjo nuk mund të jetë një gjë e keqe plotësisht sepse ju duke e “përjetuar” gjendjen emocionale të kolegut tuaj, mund ta kuptoni atë se si ndihet dhe kjo gjë që mund të ndihmojë në forcimin  e lidhjes mes jush.

Në fakt, ky është thelbi i “radarit tonë social dhe emocional” që quhët empati. Përmes saj ne jemi në gjendje të pikasim, kuptojmë ndjenjat e tjetrit, si dhe kemi aftësi të paramendojmë se si është të jesh në lëkuren e tjetrit. Ky është thelbi i asaj që na bën njerëzor.

E vërteta është se disa njerëz janë më të cenueshëm ndaj aftësisë infektive te emocioneve e disa të tjerë më pak.  Hulumtime tregojnë që femrat janë më të predispozuara të ndikohen nga emocionet e të tjerëve. Kjo i bën që rrjedhimisht ato të jenë edhe me empatike.

Megjithatë kjo gjë mund të jetë e lodhshme dhe tejet sfiduese. Janë dy fakte me rëndësi këtu: Sa më i fuqishëm emocioni aq më ngjitës është, ndërsa emocionet negative kanë më shumë aftësi ngjitëse se sa ato pozitive. Nëse e kemi dike në rrethin tonë që vuan nga depresioni, mund të jetë që partneri ose familjarët e tij/saj të përjetojnë ndjenja të ngjashme, pa e kuptuar.

Sidoqoftë, e kuptuam që ka dy anë të medaljes në këtë çeshtje.  E vërteta është se ne kemi nevojë për një dozë të aftësisë ngjitëse emocionale sepse kjo na shërben për të jetuar në harmoni me të tjerët dhe për të njohur mjedisin emocional në të cilin jemi. Për shembull, në një situatë të rrezikshme, ose konflikt ose në një konkurë apo garim, emocionet e të tjerëve mund të jenë të dobishme. Pyetja është se si t’a rregullojmë këtë lloj “instikti”, në mënyrë që emocionet e të tjerëve të mos kenë një ndikim negativ në mirëqenien tonë.

Ja çfarë mund të bëni për vete dhe për të tjerët:

  1. Jini të vetëdijshëm mbi ndikimin që gjendjet emocionale të të tjerëve kanë mbi ju dhe  kujdeseni për veten dhe mirëqenien tuaj emocionale. Kjo është posaçërisht e rëndësishme kur kemi në mesin tonë persona që kanë probleme psikike dhe emocionale. T’u ndihmosh atyrë është jetësore por edhe të kujdesësh për veten. Provoni të distanconi veten. Jini të sjellshëm dhe të dashur, por bëni një pushim dhe kushtoni kohë vetes suaj. Lexoni ndonjë libër, bëni një kafe per vetën, shkoni në kinema, ose dilni me njerëz të hareshëm.
  2. “Infektimi emocional në anën e kundërt” është një tjetër mashtrim i dobishëm: Provoni të anashkaloni zemërimin e mikut apo partnerit me buzëqeshje, duke provuar që të gjallëroni disponimin e tij/saj. Nëse gjendja e tij/saj e keqe emocionale është kronike, megjithatë duhet t’i tregoni saktësisht se si ju bën të ndiheni. Kjo mund ta motivoj atë të ndryshoj.
  3. Ndoshta edhe duhet të pyesni veten: A janë njerëzit me të cilët shoqërohesh të dobishëm për mirëqenien tënde emocionale? A ka nevojë për ndryshime në këtë aspekt?
  4. Bëhuni të vetëdijshëm për emocionet që ju nxisni tek të tjerët dhe i “infektoni” ata, si dhe bëni ndryshimet e nevojshme në këtë drejtim.
  5. Zhvillojeni kompetencën tuaj emocionale duke ia bërë vetës këto pyetje: Çfarë po ndjej tani? Çfarë ndikoi që unë të ndihem kështu? Kushtoni rëndësi lidhjes së ndjenjave me mendimet tuaja? Si po ndikojnë ndjenjat apo emocionet tuaja në sjellejt  tuaja? Çfarë mund të bëni në këtë drejtim? Besoni ose jo, një pjesë e madhe është në dorën tuaj.