Highlight UNIK +

EGO dhe UNI

ego dhe uni
Valdet Fetahu

Motivues

(Në formimin e egos janë investuar vite të tëra përpjekjesh dhe shumë energji, dhe nëse e humbim egon, do ta humbim veten dhe atëherë nuk do të dimë se kush jemi, nëse nuk jemi ata që kemi menduar se jemi.)

Ego është pjesë e secilit prej nesh, ai është “Uni ynë i vetëdijshëm”. Ai është diçka me të cilin dallohemi nga të tjerët. Nënvetëdija e egos punon 24 orë dhe kurrë nuk shuhet. Pandërprerë pranon çdo informacion dhe mendim nga mjedisi ynë dhe nuk e bënë dallimin mes informacionit të rremë dhe atij të vërtetë.

Për këtë kujdeset vetëdija e egos dhe në këtë mënyrë e dimë se çka është e vërtetë, e çka gënjeshtër, e tash është çështje e vetëdijes së egos a dëshiron të veprojë drejt.

Ego na ndihmon të kalojmë nëpër jetë dhe në këtë mënyrë ta realizojmë veten në mjedisin shoqëror dhe atë privat, si dhe t’i plotësojmë dëshirat dhe synimet tona. Në këtë dimension fizik të ekzistencës, pa ego s’do të mund as të ekzistojmë. Por, ajo që këtu është më kryesorja, për t’u bërë dhe për të na mbetur ego mbështetës i fortë në jetë, ai duhet të jetë i shëndoshë. Dhe ego i shëndoshë është ai i cili rrezaton dhe si i tillë mban gjithë qenien tonë.
Formimi i egos sonë fillon të zhvillohet që nga fëmijëria e hershme, dhe të plotësohet gjatë jetës. Ashtu siç rritemi, gjatë viteve bëhemi të vetëdijshëm dallimeve mes nesh dhe në këtë mënyrë bëhemi të vetëdijshëm “unit” tonë.

Dhe pikërisht ky dallim krijohet për shkak të ndikimeve të programeve të ndryshme nga të cilët jemi influencuar në fëmijërinë e hershme, nga prindërit, arsimtarët. dhe gjatë këtij krijimi të egos nuk kemi qenë të pavarur dhe të lirë. Për shembull, prindërit tanë i kanë vendosur disa kritere të cilat ne është dashur t’i plotësojmë për të qenë të pranuar nga ata ose mjedisi ynë dhe në këtë mënyrë kemi fituar dashurinë, e në të kundërtën, nëse nuk do të kishim plotësuar atë që nga ne kërkohej, nuk do ta kishim fituar kujdesin dhe dashurinë, dhe nuk do të ishim shembullor.

Në atë moshë nuk kemi pasur mundësi të mbrohemi nga ato programe sepse ende nuk na është zhvilluar segmenti kritik i mendjes, kështu që këto programe lirshëm janë ngjitur në qenien tone dhe e kanë bërë të pamundur që në nivelin e vetëdijes ta bëhemi të vetëdijshëm potencialit tone dhe të zhvillojmë unin tonë të vërtetë, burimor. Në këtë mënyrë janë krijuar vetitë tona të karakterit, respektivisht personaliteti ynë dhe jemi të bindur se ky është uni ynë i vërtetë, e konkretisht ky është ai I cili është krijuar nën ndikimin e faktorëve të ndryshëm të jashtëm gjatë rritjes sonë, dhe për këtë arsye individualiteti ynë shumë pak reflekton nga ajo që me të vërtetë jemi.

Në këtë mënyrë vijmë deri tek dhimbja që e përjetojmë sepse nëse nuk i plotësojmë nevojat e egos, nëse rezultati i sjelljeve tona nuk është ashtu siç të tjerët e presin nga ne apo siç ne ia kemi vendosur vetes sonë (shpesh ambicie shumë të larta), nëse veprimet tona hasin në moslejimin e partnerit në të cilin kërkojmë dashurinë që nuk e kemi pasur nga prindërit, si dhe situatat tjera, brenda nesh shfaqet dhimbja. Dhe tërë ajo dhimbje që e përjetojmë nuk është reale por vjen nga ego, nga uni i rrem. Por, pavarësisht nga kjo, ne e përjetojmë aq realisht dhe nuk mund ta mohojmë sepse ky mohim I dhimbjes do të thoshte edhe mohimin e egos, dhe me vetë këtë edhe mohimin e vetes sonë. E vetë ego është ai që e krijon këtë dhimbje.

Krejt ajo që mendojmë për veten, që mendojmë se jemi, përfshihet në ego. Dhe për këtë arsye shumica e njerëzve jetojnë në parimet e egos, mendojnë, reagojnë dhe veprojnë prej egos. Sepse në formimin e egos janë investuar vite të tëra përpjekjesh dhe shumë energji, dhe nëse e humbim egon, do ta humbim veten dhe atëherë nuk do të dimë se kush jemi, nëse nuk jemi ata që kemi menduar se jemi. Dhe për këtë arsye do të bëjmë ç’mos për ta ruajtur, edhe pse shpesh herë na sjell dhimbje.

Dhe kështu ego ynë i vetëdijshëm bie në konflikt me egon e pavetëdijshëm. Dhe kur të na ndodhin dhimbjet e mëdha në jetë, fillojmë të pyesim pyetje të ndryshme si për shembull: Kush jemi?, Nga jemi?, Ku po shkojmë?, dhe vjen deri tek thyerja brenda nesh, që na çon në rizbulimin e pjesëve tona të rreme dhe të vërteta. Dhe kur bijnë këto pjesë të rreme, ia mundësojmë natyrës sonë të vërtetë të del në sipërfaqen dhe të zhvillohet. Dhe në këtë mënyrë mund ta ndërtojmë egon tonë të shëndoshë i cili do të na sjell lumturi, hare, dhe të bëhet pjesë e tërësisë sonë të përkryer.

Të gjithë ne në vete kemi gjithë diturinë dhe njohurinë, si dhe gjithë dashurinë dhe fatin, por e kemi harruar gjatë udhëtimit. Duke biseduar me veten, duke bërë dialogje të brendshme në mes zemrës dhe egos, si dhe duke punuar në rritjen personale mësojmë se të gjitha pengesat janë të kapërcyeshme, se gjithmonë ekziston rrugëdalje dhe se të gjitha dyert na hapen. Besoni vetes dhe në vete, dhe mos lejoni që programi i vjetër negative të ndikojë në të tashmen dhe në të ardhmen e juaj. Ju jeni shumë më shumë se një ego i thjeshtë dhe qenia juaj e meriton gjithë dashurinë dhe bukurinë e kësaj bote.