Highlight Shëndeti

Çka është intoleranca ushqimore dhe cili test e tregon atë?

Para së gjithash është e nevojshme të kuptojmë se çfarë është intoleranca ushqimore dhe mos ta ngatërrojmë atë me alergjinë ushqimore.

Në fakt, intoleranca dhe alergjitë nuk janë e njëjta gjë.

Intoleranca ushqimore ose hipersensibiliteti ushqimor është një reaksion i dëmshëm ndaj një ushqimi ose shtojce ushqimore, që mund të shkaktohet nga defektet enzimatike (psh. intolerancë ndaj laktozës apo histaminës), elementet farmakologjikë të ushqimeve (glutamatet, sulfitet, aminat vazoaktive apo shtojca të tjera), toksinat (aflatoksina), etj.

Intoleranca ushqimore nuk sjell domosdoshmërisht një reagim të menjëhershëm, si në rastin e alergjisë dhe shfaqja e simptomave varion nga disa orë në disa ditë pas marrjes së ushqimit.

Intoleranca ushqimore duket të jetë e lidhur me pamundësinë e trupit tonë për të tretur dhe asimiluar disa përbërës të ushqimit ose me disa inflamacione të trupit të shkaktuara nga ushqimi.

Shpesh herë intoleranca ushqimore mund të shkaktojë simptoma në nivel të stomakut ose zorrëve. Simptomat më të shpeshta janë: vështirësi në tretje, diarre, konstipacion, meteorizëm, nauzë, kolon i irrituar, astmë, migrenë, dermatit, dhimbje të artikulacioneve, mungesë përqendrimi dhe çrregullime të peshës (shtim ose humbje të saj).

Komplekset imune antigen – antitrup që nuk arrijnë të eleminohen nga gjaku, depozitohen në inde, duke zhvilluar procese inflamatore. Pacientët me një sistem imun të dobësuar ose me rritje të përshkueshmërisë së zorrës (leaky gut syndrome), janë më të ndjeshëm ndaj këtyre proceseve inflamatore.

Sindroma e mësipërme, mund të shkaktohet nga dieta të lidhura me hiperaciditetin e florës intestinale, mjekime të ndryshme, infeksione, konservuesit e ushqimeve, alkooli, nikotina ose stresi.

Komplekset imune depozitohen në mënyrë preferenciale në inde të dëmtuar për shkak të sëmundjeve, infeksioneve ose toksinave, duke sjellë një rritje të inflamacionit dhe simptomave kronike.

Cili është testimi për Intolerancën ushqimore?

Përcaktimi i intolerancës kundrejt ushqimeve dhe shtojcave ushqimore, mund të kryhet nëpërmjet një testi të vetëm me një marrje të thjeshtë gjaku. Ushqimet ndahen në kategori si drithëra që përmbajnë gluten, drithëra pa gluten dhe grupe ushqimesh si mish, qumësht dhe vezë, fruta, barëra dhe erëza, arra dhe farëra, perime, bishtajore, sallata, kërpudha, peshk dhe produkte deti dhe ushqime të tjera të tilla si maja, mjaltë, kafe dhe çaji i zi.

Testimi për intolerancën ndaj ushqimit është i dobishëm për të diagnostikuar reagimin jonormal që organizmi juaj manifeston ndaj disa ushqimeve të caktuara.