Highlight Storie Inspirimi

Para pasqyrës them “Nuk e lejoj më. Do të largohem!”, pastaj më zbutet zemra, e përqafoj përsëri!

Boll ma! Ndalu, shuj!

Dhe ja u përplas dera e këto bërtima u ndalën, kurse unë qëndroja e strukur tek këndi i tavolinës. Sytë më ishin skuqur, dridhesha e qaja fatin tim të mjerë. Kush do e besonte se njeriut që ia hapa dyert e zemrës sot ma përplasë derën para fytyrës! Personi të cilit ia besova të ardhmen time, po ma shkatërron të tashmen! Atij që i thashë “Të dua”, tash më vjen t’i bërtas “Të urrej”!
Por nuk kam zë, madje nuk kam as forcë të ngrihem nga ky vend ku qëndroj.

E pyes veten ku gabova që meritova këtë fat? Si çdo femër tjetër dhe unë kisha ëndrrat e mia, por tani po i përjetoja ankthet. Ngrihem ngadalë, këmbët e mia nuk i ndjej.

Çdo pjesë e trupit më është paralizuar dhe nuk ndjen dhimbje.

Mbase është bëre imune ndaj atyre rrahjeve që më janë bërë përditshmëri.

Disi futem në banjo dhe ja ku jam përballë pasqyrës. Duke larë fytyrën ndjej lotët që rrjedhin. Marr guxim ta shoh veten në pasqyre, e i flas vetes “Këto plagë që po i sheh me kohë kalojnë, por dhembja që të vret nga brenda kur do të kalojë?”

T’i kanë vrarë ëndrrat, por jo dhe shpresat.

E di, nuk je e vetmja femër të cilën fati i ka mallkuar. Në botë ke edhe shumë shoqe të tjera që ta kuptojnë dhimbjen për të cilat nuk gjen fjalë, edhe ti je mashtruar nga ajo që e supozoje dashuri, nga fjalët e premtimet boshe, ke rënë viktimë e dashurisë së rrejshme.

Por përse po i dorëzohesh fatit? Ngritu dhe lufto këtë padrejtësi. Mos i dëgjo ata që të thonë “marre me u nda”, lëri paragjykimet se të jesh e sigurt fjalët e njerëzve nuk ndalen asnjëherë.

 

Hej, të kujtohet kur shikoje filma dhe kur personazhi kryesor torturohej në ndonjë forme e ti i bërtisje “ik, çu largohu!”, epo e dashura vetja ime, ti je personazhi kryesor në këtë histori, andaj bëhu zëri i vetës tënde. Mos e lejo ai të thotë “boll mo”, por ti thuaji vetes “boll ke mo!”.

Jam femër dhe dashurinë e përkushtimin e pakusht që ma marrin si dobësi, është koha t’i shndërroj në armën më të fortë timen. Unë mund t’ia dal mbanë dhe do t’ia dal.

Më vjen një ndjenjë gjallërie dhe një fije shprese.

Dëgjoj derën, i dëgjoj zërin “zemër ku je?”, ja po vjen, po ia dëgjoj hapat, po më kërkon të falur “Më fal e dashur, nuk do të ndodh më.

E di, çdo gjë doli nga kontrolla, por nuk do të ndodh më të premtoj.”

Më përqafon, kurse unë përsëri po i dorëzohem dhe i tërë ai monolog para pasqyrës u harrua.

Çdo herë e njëjta histori të cilën mund ta ndryshoj por nuk po e bëj.

Autore -Gzime Azemi