Highlight

Zgjidh të rrish me njerëz të lumtur

By Bleona Foniqi

November 13, 2017

Largohuni me mirësjellje nga miqtë që nuk i mbështesin ndryshimet në jetën tuaj. Do të ketë të tillë. Ata do të ndihen xhelozë dhe të  frikësuar sa herë që bëni një ndryshim. Rrugën tuaj të re të motivimit ata do ta shohin si një dëshmi për mungesën që kanë. Me mënyra dinake, ata do t’ju kthejnë siç ishit. Ata nuk e dinë se çfarë po bëjnë. Njerëzit me të cilët kaloni kohën do t’jua ndryshojnë jetën në një mënyrë ose tjetrën. Nëse shoqëroheni me njerëz cinikë, ata do t’ju bëjnë si vetja. Nëse shoqëroheni me njerëz të cilët ju mbështesin në lumturinë dhe suksesin tuaj, do të keni një avantazh në rrugën e të qenit të lumtur dhe të suksesshëm.

Gjatë gjithë ditës ne kemi shumë mundësi zgjedhjeje se me kë do të rrimë dhe do të flasim. Mos u tërhiqni drejt makinës së kafesë dhe të merrni pjesë në thashethemet negative, ngase s’keni ç’të bëni tjetër. Kështu ju e zbrazni energjinë dhe mbytni optimizmin tuaj. Të gjithë e dimë kush na ngre sipër dhe kush na ulë poshtë. Është mirë të fillojmë të jemi më të kujdesshëm se kujt ia kushtojmë kohën.

Thjeshtë, bëni një listë të miqve dhe të afërmeve, në shoqërinë e të cilëve ju ndiheni më të gjatë, më të lumtur dhe më optimistë. Zgjidhni një prej tyre që të kaloni pak kohë këtë  javë.

Kur bisedoni  me një person cinik, mundësitë duket sikur zhduken. Një ndjenjë paksa dëshpëruese fatalizmi, duket sikur merr përsipër bisedën. Asnjë ide e re dhe asnjë humor origjinal. “cinikët,”nuk krijojnë. Nga ana tjetër, entuziazmi për jetën është ngjitës. Dhe bashkëbisedimi me një optimist gjithmonë na bën më të hapur që të shohim më shumë mundësi në jetë. Kënaqësia të zhgënjen, mundësia kurrë.