Highlight

TË FILLOSH NJË VIT TË MBARË

By Edone Podvorica

January 16, 2018

Për Vitin e Ri, të gjithë urojmë një vit të mbarë, me suksese dhe dëshira të plotësuara, por në fund të vitit na bie ndër mend që në fakt nuk kemi realizuar as gjysmën e asaj që e kemi dëshiruar. Në shumicën e rasteve kjo ndodhë për shkak se e kemi lënë rrjedhën e jetës të na udhëheqë, kemi vendosur vetëm në bazë të dëshirave apo nevojave të familjarëve, miqve apo kolegëve tanë, dhe në fund kemi mbetur pa e realizuar një dëshirë apo plan që e kemi pasur qe sa kohë – ta zëmë se ke mbetur pa e mbajtur asnjë orë joga ose pillates edhe pse ke premtuar qysh prej fundit të vitit… para dy vjetësh :-).

Mos të flasim për udhëtimet e ëndërruara e të pa realizuara për shkak se nuk ke pasur mjaftueshëm para, për çka je dashur të kursesh ashtu siç ke premtuar në fund të vitit të kaluar, por nuk ke mundur të kursesh ngase je dashur ta blesh një rrobalarëse të re, t’i japësh vëllaut borxh, të kanë dalur edhe 20 shpenzime të papritura, shumicën prej të cilave ke mundur mos t’i bësh, e në fund ke mbetur pa plan, pa para, dhe totalisht e dërmuar nga të gjitha aktivitetet. Mos të flasim për kujdesin ndaj fëmijës/fëmijëve që është një punë me orar 24/7.

Ky vit mund të jetë viti yt, me vetëm pak më shumë organizim dhe planifikim.

Dhe e fundit: qëndro para rrezeve të Diellit! Qofshin edhe rreze të janarit të ftohtë, Dielli ta përmirëson disponimin padyshim!