Natyrë & Turizëm

Rruga për në Oman, vendi me histori dhe peizashe të mrekullueshme

Omani, dikur një vend i mbyllur, i vendosur në mes të Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite dhe Jemenit, sot konsiderohet një ndër vendet më të bukura në botë për ta vizituar. “Lonely Planet”, ka shkuar aq larg saqe kryeqytetin e Omanit, e ka rreshtuar si qytetin e dytë më të mirë në botë për udhëtim.Omani është i pasur me histori dhe peizazhe të mrekullueshme, që ndryshojnë nga shkretëtira në male, në vijën bregdetare të mrekullueshme.

Kur dielli lind dhe trafiku nis të gjallërohet, do të shihni ndërtesat rreshtuar bukur dhe hotelet e mrekullueshme që e bëjnë këtë vend të duket si qytet zviceran, ku planifikimi urban është në formën më të mirë.  Ajo që e bën interesante këtë vend është harmonizimi i modernitetit me historinë e vendit. Çdo cep i këtij vendi është i pastër thuajse “steril”. Por, nga cili do aspekt që e vlerëson Omanin, ai dallon. Është vend dinamik ani pse nuk ka shumë banorë, por nuk është aspak agresiv ose i tepruar në jetën e shtrenjtë siç është Dubai.

Emancipimi i Omanit është i hetueshëm ne çdo fushë, nisur nga gratë që drejtojnë makina pa problem, që udhëtojnë të vetme,nuk hasin në vështirësi për të gjetur punë,drejtojnë pozita kyçe në sektorin publik, deri te hotelet luksoz ku lejohet konsumimi i alkoolit. Diskotekat janë të hapura kryesisht në fundjave dhe ato frekuentohen kryesisht nga vizitoret.

Omani, një vend arab, por si asnjë tjetër, vetëm disa dekada më parë ishte një vend totalisht i pazhvilluar, nuk kishte sistem të energjisë elektrike, ujë të pijshëm e as sistem kanalizimesh. Omani nuk kishte radio, televizion apo gazetë, atje kanë qenë të ndaluara edhe syzet e diellit. Omani kishte vetëm pesë spitale, tri shkolla dhe disa kilometra asfalt.

Por, me disa ndryshime drastike në udhëheqjen e vendit, shfrytëzimin e burimeve të naftës e gazit dhe turizmit, sot ky vend është shndërruar në një mrekulli të vërtetë.

Tani më tepër se një milion turistë vizitojnë çdo vit Omanin, pjesa më e madhe e të cilëve janë skandinavë, anglezë, gjermanë, austriakë, francezë që habiten më shumë nga qetësia që karakterizon këtë zonë. Qytetet më të mëdha në vend ofrojë një panoramë të mrekullueshme me resurse dhe qendra antike dhe moderne. Edhe resortet në shkretëtirë zhyten në skenarë magjikë, mes agimeve dhe perëndimeve që të lënë pa fjalë. Mrekullitë e parqeve natyrale ofrojnë një tjetër oazë qetësie mes breshkave gjigante dhe llojeve të rralla të bimëve. Për të rritur fluksin e turistëve sulltani ka urdhëruar ndërtimin e një aeroporti të ri në Muskat dhe zgjerimin e atij të Salahahit. Po ashtu është aprovuar ndërtimi i tre aeroporteve të reja të shpërndara mes zonave me zhvillimin më të madh industrial. Katër janë lidhjet direkte me Evropën: Londra, Parisi, Mynihu dhe Frankfurti. Për të tërhequr kapitale nga shtetet e tjera vendosën të akordonin rezidencën e përhershme të të huajve që blejnë shtëpi dhe terrene.

Omani në krahasim me pjesën tjetër të botës ka dy gjëra që e favorizojnë: stabilitetin politik dhe mentalitetin e hapur.

Ministria e Turizmit e Omanit, njoftoi kohët e fundit një plan që do ta bënte industrinë e turizmit një burim të madh të ardhurash për vendin, deri në vitin 2040. Plani parashikon krijimin e 80,000 dhomave, në formë hotelesh, shtëpish pushimi dhe ambientesh të integruara të turizmit, në të gjithë vendin.


Markat luksoze si Hotelet Anantara, të cilat tashmë kanë hapur dy resorte atje, janë duke pretenduar se kultura e vendit dhe topografia unike janë një barazim i madh për udhëtarët.