Highlight UNIK +

Rëndësia e festave

Rëndësia e festave
Mevlude Zejnullahu

Sociologe

Jeta sociale e përditshme ndodh me një varg takimesh me individë të ndryshëm. Gjatë një dite të zakonshme ne takojmë individë të shumtë në situata e vendndodhje të ndryshme.

Në shumë situata sociale ne hyjmë ne atë që Goffman e quan ndërveprim të papërqendruar me të tjerët. Ky ndërveprim ndodh kur individët e shfaqin vetëdijen reciproke për pranin e njeri-tjetrit në një situatë të caktuar. Kështu ndodhë zakonisht në çdo rrethanë  ku grumbullohen një numër i madh njerëzish në një mbrëmje dëfrimi, teatër apo kudo tjetër.

Ndërveprimi  i përqendruar ndodhë kur njerëzit marrin pjesë në atë që të tjerët thonë ose bëjnë. Flasin me njëri-tjetrin, shkëmbejnë përvoja, urime, ngushëllime  etj,.

Familja si bërthamë e  çdo shoqërie, tek ne padyshim ka pasur dhe vazhdon të ketë rol të pazëvendësueshëm në jetën e individit. Mirëpo, brenda familjes kosovare janë një varg çështjesh  e fenomenesh të cilat kërkojnë analizim dhe studim.

Jeta e përditshme sociale në përgjithësi  karakterizohet  me momente të ndryshme të cilat ndikojnë direkt në jetën e individit. Dinamizmi i epokës në të cilën ne po jetojmë, padyshim se i kontribuon situatave në të cilat ne shkëputemi nga familja, kryesisht nga ajo e  gjerë, nga shokët e fëmijërisë, nga miqtë e universitetit, nga fqinjët e dikurshëm  etj.

Është e pamundur që të gjitha këto e edhe shumë kontakte të tjera t’i kemi në agjenda, mos të themi ditore por as në ato javore e mujore. Mënyra e vetme që mos të harrohemi e të kujtohemi janë festat, qofshin ato fetare, kombëtare e shtetërore.

Festat në familje janë të një rëndësie të veçantë.  Një familje në të cilën të gjithë pjesëtaret e saj kanë obligimet e veta dhe jo rrallëherë  nuk kanë kohë t`i përkushtohen njëri-tjetrit, në ditët e festave ata gjithsesi janë së bashku. Afrimi i ditës festive, sjellë edhe afrimin e pjesëtareve të familjes me njëri-tjetrin. E gjithë familja mblidhet, secili kontribuon në një mënyrë apo tjetrën.

Planifikimi ku , si , me kënd e shumë gjëra tjera mund t’i kontribuojnë mosmarrëveshjeve paraprake në familje, dhe gjithçka të normalizohet pikërisht me ofrimin e festës d.m.th. përkushtimi ndaj një feste, rregullimi i ambientit rrethues, përmirëson edhe situatën sociale e emocionale në familje.

Shoqëria kosovare me një tranzicion të stërzgjatur, jo rrallë herë është ballafaquar me situata krejtësisht të reja dhe me një konfuzitet të llojit të vet. Ta marrin si shembull Vitin e Ri në vitet e para të mbarimit të luftës, i cili  festohej në ambient të hapur me armë dhe mjetet piroteknike tjera që  rrezikonin jetën e qytetarëve të pranishme. Fatmirësisht, kjo mbetet  e kaluar sepse çdo vit që kalon qytetarët vetëdijesohen  për mënyrën e festimit dhe argëtimit. Këtu vlen të theksohet se festat fetare gjithmonë kanë ruajtur një tradicionalizëm dhe mënyra e festimit të tyre ka qenë në nivel.

Secila festë qoftë ajo fetare, shtetërore apo kombëtare te individi ka ndikim të madh social, bashkon  dhe forcon lidhjet miqësore. Është ndikim pozitiv kur sheh se ke marrë urim nga një mike që nuk e ke taku kohë të gjatë, apo sa i këndshëm është momenti kur në telefon të vije mesazh urimi nga një mik  i fëmijërisë dhe natyrisht kjo ju bën të ndjeheni të rëndësishëm.

Shoqëria jonë si një përqafuese e vlerave të shoqërive tjera, pretendon të ketë harxhime marramendëse për festa, duke qenë kjo një absurditet, kur dihet në cilën gjendje jetojnë pjesa më e madhe e qytetarëve kosovarë.  Thuajse çdo herë mjafton  ideja, vullneti, kreativiteti që  ta bën një festë të paharruar, përkundër asaj që disa individë mund të shpenzojnë para të majme por, rezultojnë me një organizim jo të përshtatshme për llojin e festës, kohën dhe ambientin në përgjithësi.

Simbolikë sociale e festave e cila i bënë individët të ndjehen të rëndësishëm, padyshim janë edhe dhuratat,  pavarësisht  se çfarë vlere materiale të kenë ato.

 

Festat rregullojnë raportet ndër sociale, ripërtërihen kontaktet e rralluara e të harruara, kështu që individët janë gati për një sjellje tjetër sociale në ditët në vazhdim.