Highlight UNIK +

Meditimi në shënjestër të degradimit!

meditimi
Sheki Useini

Mendimtarë i lirë & Meditues

Duke u bazuar në dashurinë e madhe dhe përkushtimin e sinqertë që kam ndaj meditimit, si dhe pyetjet e shumta që kam pranuar këtu në Indi nga vendlindja, posaçërisht edhe nga të atillë që kanë filluar ose mbaruar kurse meditimi te ne dhe ndjehen të zhgënjyer nga rezultati, vendosa që nëpërmjet këtij shkrimi të shpalos qëndrimin tim ndaj një dukurie, që tanimë është e dukshme në shoqërinë tonë.

Nga të gjitha mesazhet që kam pranuar deri tani, konstatoj dy gjëra: njëra është rritja serioze e interesimit pas meditimit dhe e dyta, zhgënjimi nga rezultatet e pritura apo të premtuara, bile mos them edhe të garantuara, nga disa mësues të meditimit.

Të zhgënjyer ka edhe nga ata të cilët tanimë kanë pranuar edhe çertifikata nga mësuesit e tyre!

Vlera universale e meditimit është realitet historik, që është dëshmuar dhe vazhdon të shërbejë në dobi të njerëzimit. Natyrisht se edhe ne shqiptarët nuk jemi të përjashtuar nga dobitë e shumta që ofron të medituarit. Dukshëm vërehet një rritje e vazhdueshme e interesimit për meditim dhe kjo me siguri do të vazhdoj edhe më tej.

Në kuadër të kësaj, fatkeqësisht, konstatoj një dukuri jo të shëndoshë, që është duke lëshuar rrënjët e saja, pra keqpërdorimi dhe tendencë e manipulimit në emër të meditimit. Nuk e di unë a bëhet kjo me vetëdije apo pa të, por i bindur jam se pasojat do të jenë të dëmshme. Një arsye është tejet e qartë në lidhje me këtë: oreksi i madh për të fituar lekë nga trendi i ri i interesimit pas meditimit! Fatkeqësia e kësaj qëndron në atë se, janë pikërisht ata njerëz, të cilët akoma nuk e kanë kuptuar as vetë si duhet natyrën e vërtetë të meditimit.

Këta kanë filluar ta rrëzojnë madhështinë e meditimit në nivelin e xhepit, e përfitimit personal si dhe reduktimin e natyrës së meditimit në dimensionin e një çertifikate për meditim, që „e fiton“ brenda një kursi disa ditorë! Pastaj, kur dëgjoj intervistat e disa „mësuesve të meditimit“, unë shtangem i tëri! Këta flasin shumë bukur dhe plot premtime.

E gjitha ajo tingëllon shumë shpresëdhënëse, por gati asgjë nuk ka të bëjë me meditimin e vërtetë. Uroj që këta njerëz të jenë të vetëdijshëm për atë se çka bëjnë, si dhe për dëmet dhe kotësinë që pasojnë. Në fund nga kjo nuk ka asgjë, përveç se disa mësues me ca përfitime, nga njëra anë, kurse nga ana tjetër shumë njerëz të zhgënjyer me përvojën e tyre dhe plot çertifikata. Pse?! Nuk ka çertifikata për meditim!

Çka çertifikoni? Kush çertifikon?! Nuk e kuptoj dot! Me respektin më të madh përjashtoj nga shqetësimi im, profesor Hetem Ramadanin, njeriun që solli Meditimin në trevat shqiptare dhe bëri shumë që meditimi të kultivohet ashtu siç e meriton. Kur flitet për meditimin, kam një bindje të thellë se vetëm profesori e din saktësisht se për çka bëhet fjalë. Por nuk është e njëjta te të tjerët. Për profesorin, respekt të veçanta!

Ju lutem, mos e degradoni meditimin në nivelin e një biznesi rajonal. Nuk është ky ai meditim, për të cilin e kishin fjalën mjeshtrit e mëdhenj, si Buda, Mahavira, Maharishi, Krishnamurti, Osho, Dipak Çopra, e të tjërë.

Shoqëria jonë ka nevojë për meditim dhe e meriton ta kultivojë atë për të mirën e saj me të gjitha dobitë që sjell meditimi.

Por kjo dukuri me këtë lloj “meditimi“ të tanishëm nuk do na sjell asgjë! A është për momentin kështu apo jo, këtë e dinë bile më së miri ata të cilët kanë marrë apo akoma marrin, të themi, mësime meditimi, ose edhe ata që tanimë janë të “çertifikuar“. Por, para se të flasin, le të jenë njëherë të sinqertë, së pari ndaj vetes dhe pastaj edhe ndaj të tjerëve.

Sheki Useini – Nathan Pune – Indi 30.Korrik 2018