Highlight

Kur dashuroheshim në kohën tonë…

By Edone Podvorica

December 04, 2018

Kur dashuroheshim në kohën tonë, Kur tretesha dhe digjesha për ty, Nga njëri-tjetri letrat vinin vonë, Kalonte dhe një muaj apo dy.

PO ndofta dashuria mbahej gjallë, Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim Me biçikletë a mushkë apo me kalë Në vapë e shi, dëborë dhe thëllim.

Kur dashuroheshim në kohën tonë Me zor na vinin letrat fshat-qytet Nuk kishin nëpër dhomë telefon Dhe në ëndërr s’kishte faks dhe internet.

Megjithatë më mirë që nuk kishte As telefon, as internet, as faks, Se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste Një dashuri të vjetër për një çast.

~Dritëro Agolli