Highlight Storie Inspirimi

Kur dashuroheshim në kohën tonë…

Kur dashuroheshim në kohën tonë,
Kur tretesha dhe digjesha për ty,
Nga njëri-tjetri letrat vinin vonë,
Kalonte dhe një muaj apo dy.

PO ndofta dashuria mbahej gjallë,
Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim
Me biçikletë a mushkë apo me kalë
Në vapë e shi, dëborë dhe thëllim.

Kur dashuroheshim në kohën tonë
Me zor na vinin letrat fshat-qytet
Nuk kishin nëpër dhomë telefon
Dhe në ëndërr s’kishte faks dhe internet.

Megjithatë më mirë që nuk kishte
As telefon, as internet, as faks,
Se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste
Një dashuri të vjetër për një çast.

~Dritëro Agolli