poezi

UNIK +

Dr. Injorant Pasurimi

By Bleona Foniqi

April 19, 2019

Po të ishte në mesin tonë Gjergj Fishta sot, “Lahutën e Malcisë” s’do ta shkruante dot, Ngase rapsodët e hudhën lahutën, Në vend të saj e zgjodhën valutën.

E dini pse sot s’lexohet Migjeni? Sepse t’mjeruarit hipën n’krye t’venit, Sot s’duhet të ishte “Poema e mjerimit”, Por duhet të quhej “Politika e pasurimit”.

E dini pse në fjalime më nuk citohet Naimi, Ngaqë “Bagëtia e bujqësia” ndjell varfërimin, I braktisen malet, bjeshkët, fushat e brigjet, Në qytet u zhdorgjën për t’i arritur prestigjet.

“Shqipëria çka qenë, ç’është dhe çdo bëhet”, Nuk e shkroi Samiu por të gjithë shqiptarët, Shqipëria qe gadishull, është provincë dhe çdo bëhet s’di, U mjaftuam me përqafime me thikë pas shpine e thirrje “o miqtë e mi”.

Të vërtetën e tha Faiku, Nga Shqipëria zuri e iku, Jo për shkak t’vendit, Por për shkak t’kuvendit.

Në kohën e Konicës pak kishte doktor, Mezi e gjeti një e t’ia linte titullin veprës Doktor Gjilpëra, Më dhimbset si s’qe sot e ta titullonte ashtu siç do donte, Ngase çdo emër thuajse mban këtë titull që nga xhepi e paguante.