Highlight UNIK +

Çfarë është koeficienti spiritual?

spiritual
Sheki Useini

Mendimtarë i lirë / Meditues

Çdo qenie njerëzore e di se çfarë është koeficienti i inteligjencës, por shumë pak e dinë se koeficienti i inteligjencës është vetëm pjesë e një koeficienti shumë më të gjerë dhe më përfshirës e të ashtuquajturit

koeficienti spiritual.

Në bazë të koeficientit spiritual mund të matet gjendja aktuale e vetëdijes të një personi. Koeficienti spiritual përbëhet nga koeficienti i inteligjencës dhe koeficienti emocional. Në vijim do të ju tregoj se çka janë këta dhe në çfarë raporti qëndrojnë këta në mes veti.

Në bazë të koeficientit të inteligjencës ne sot vendosim se sa inteligjent duket një person. Megjithatë, nuk mund të matet drejtpërdrejt inteligjenca e një personi vetëm me anë të këtij koeficienti. Sipas mendimit tim, ky koeficient është edhe i rrezikshëm, sepse i ndan njerëzit në inteligjent dhe më pak inteligjent, gjë që automatikisht edhe na hallakat pak dhe na sugjeron të mendojmë se njëri është më i mirë dhe tjetri më i keq. Bile edhe mendohet se vlera e këtij koeficienti është e pandryshueshme. Por, edhe kjo është gabim. Pasi që njeriu mund ta ndryshojë vetëdijen e tij duke u ndërgjegjësuar dhe me të edhe duke e ngrit koeficientin e inteligjencës. Njeriu atëherë e rrit aftësinë për ta analizuar më mirë Botën dhe ndryshon perspektivën nëpërmjet mendjes së tij. Por, ai ate edhe mund ta zvogëloj, nëse nuk investon vazhdimisht në vete dhe jepet pas konsumimit të gjërave që i bëjnë dëm Qenies së tij, si p.sh. konsumimi i tepërt të alkoolit, apo të gjërave tjera. Ne të gjithë kemi një tru, dy sy, dy veshë, një hundë dhe duke krijuar realitetin tonë zgjerojmë edhe vetëdijen tonë, e cila pastaj na shërben në krijimin e përvojave individuale në jetë. Njerëzit të cilët vlerësohen me një koeficient të ulët, atyre edhe ju zvogëlohen aftësitë unike. Kjo pengon padyshim pastaj në zbërthimin e mëtejmë të potencialit të tyre.
Mirëpo çka është puna me koeficientin emocional? Ky është i panjohur për shumicën e njerëzve, edhe pse sipas mendimit tim duhet t’i jepet një prioritet shumë më i lartë. Ky koeficient i referohet pjekurisë emocionale dhe morale. Një person i cili, për shembull, ka një zemër të hapur, është i butë, i ndjeshëm, i dashur, i mëshirshëm, tolerant, në këtë kontekst ka një koeficient të lartë emocional se sa dikush që ka një zemër të mbyllur dhe reflekton ftohtësi. Një person i cili kryesisht vepron nga motive egoiste, qëllime dashakeqe, është lakmitar, mashtrues, nuk ndjen ndjeshmëri për të afërmit e tij, ka një koeficient emocional mjaft të ulët. Mirëpo, çdo qenie njerëzore mund ta rrit koficientin emocional duke e përdorë vetëdijen e tij.

Ky hap i veçantë në këtë drejtim në Botën e sotme nuk është i lehtë. Ne jetojmë në një Botë e cila është e orientuar intelektualisht dhe materialisht, e cila më tepër të gjykon dhe vlerëson sipas statusit financiar se sa kualiteteve shpirtërore dhe empatike. Sot, njerëzik empatik kryesisht mbeten shpesh në mes të rrugës. Kemi ndërtuar një shoqëri ku zemrat e njerëzve detyrohen të heshtin dhe me këtë ky sistem krijon frekuenca të ulëta energjike, të cilat pastaj shërbejnë si ushqim për kultivimin e egoizmit dhe dukurive tjera destruktive. Besoj se kjo në të ardhmen do të ndryshojë!

Koeficienti spiritual është një tregues i pjekurisë shpirtërore. Ky përbëhet nga koeficienti i inteligjencës dhe koeficienti emocional. Sa më të larta janë vlerat e këtyre koeficienteve, aq më i lartë është edhe koeficienti spiritual.

Krijimtaria ndodh nëpërmjet realizimit të mendimeve tona, të cilat manifestohen në nivelin “material”.Përmes riprogramimit të ndërdijes dhe përdorimit të qëllimshëm të saj, ne jemi në gjendje të rrisim vetë koeficientin tonë spiritual. Ndërdija e cila në vete ka të regjistruara mendime negative, përveç asaj që ato krijojnë situata negative dhe trauma në jetë, ato edhe e ulin koeficientin spiritual. Prandaj, riprogramimi i vëmendshëm i ndërdijes është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të rritjes së koeficientit spiritual apo shpirtërorë.

Sa më pozitive që është Bota jonë mendore, aq më tepër harmoni, paqe dhe ekuilibër do të kemi në sistemin e brendshëm në mes trupit, mendjes dhe shpirtit.

Koeficienti spiritual tregon thjeshtë nivelin e gjendjes aktuale në mes vetëdijes dhe ndër-dijes, dhe nuk na ndanë në më inteligjent dhe më pak inteligjent, por në të vetëdijshëm dhe më pak të vetëdijshëm.

Megjithatë e mira është se çdo qenie njerëzore e ka aftësinë, që duke u kujdesur me vetëdije të plotë për mënyrën e të menduarit , të krijojë vibracione me frekuenca më të larta dhe me këtë të ndikojë në riprogramimin e ndërdijes, që pastaj të fitojë edhe një kuptim më të thellë për jetën dhe me këtë njëkohësisht edhe të zgjerojë më tepër koeficientin spiritual.