Të tjera

10 mënyra si të përdorni mendimin pozitiv për të përmirësuar jetën

jerëzit pozitivë kanë më shumë mundësi të arrijnë sukses në jetë. Që nga mendimi deri te përpjekjet e vazhdueshme, ja se si mund ta bindni veten për të mos rënë në kthetrat e pesimizmit

Këshilla për të menduar pozitivisht i shoqëron njerëzit vazhdimisht gjatë jetës, por përtej sugjerimit, përse duhet që njerëzit të jenë optimistë? Si fillim, duhet të dini se duke menduar pozitivisht, ju nuk mendoni negativisht, pra nuk jeni zemërakë apo në depresion. Kjo është një arsye shumë e mirë në vetvete.

Kërkimet tregojnë se ka përfitime reale dhe të matshme që vijnë nga kultivimi me vetëdije dhe ruajtja e pozitivitetit për jetën. Optimistët kanë më pak sëmundje kardiovaskulare dhe jetëgjatësi më të madhe. Për më tepër, kërkuesit kanë zbuluar se shëndeti i pesimistëve përkeqësohet më shpejt me kalimin e moshës.

Hulumtuesit në Universitetin e Jeills dhe Kolorados zbuluan se pesimizmi është i lidhur me shkatërrimin e përgjigjes imune ndaj tumoreve dhe infeksionit.

 

 

Doktor Martin Seligman, themeluesi i Psikologjisë Pozitive, ka bërë disa punë të rëndësishme për të ilustruar se njerëzit pozitivë dhe optimistë kanë rrjete sociale më të thella dhe më të gjera, janë komunikues më të mirë dhe e marrin veten më shpejt nga një zhgënjim.

Për ta, çdo eksperiencë është një mësim dhe një arsye më shumë për të besuar në të ardhmen. Në një studim mbi shitjen, optimistët shisnin 37 për qind më tepër sesa pesimistët.

 

Ja si mund ta nxisni pozitivitetin në jetën tuaj

Mendoni sikur jeni të suksesshëm
Ideja që suksesi nuk ju është provuar ende, mund t’ju bëjë të hezitoni më shumë në rreziqet që ndërmerrni. Niseni ditën me optimizëm dhe mendojeni veten sikur jeni në prag të një suksesi shumë të madh. Duke menduar që një jetë e suksesshme dhe e lavdishme, pa rreziqe është përpara jush, do të nxiteni që të arrini gjithnjë e më shumë gjëra në jetë.

Biznesmenë të fuqishëm pohojnë se ka qenë optimizmi i tyre ai që është përgjegjës për energjinë e tyre dhe për rrjedhojë, fitimet marramendëse. Fuqia e brendshme ju jep kontroll mbi ndjesitë tuaja të brendshme dhe kështu do të kaloni çdo dështim në përpjekje.

Vazhdoni të ecni përpara
Mos i ndaloni përçapjet tuaja për të arritur në një pikë të caktuar vetëm se mund të dështoni. Vazhdoni pa u ndalur në rrugën për të ecur përpara, sepse shpesh suksesi është shumë pranë jush por nuk arrini ta shihni. Duke dështuar sa më shpejt në jetë, e keni më të mundur të arrini suksese të tjera në vazhdimësi. Nëse nuk dështoni, kjo tregon se nuk po sillni asnjë risi.

Mendoni si mbret/mbretëreshë
Mendojeni veten si sovran, i cili nuk ka frikë të dështojë, por e sheh dështimin si një hap tjetër që e afron më tepër me madhështinë. Duke krijuar një ndjesi madhështie për veten do të mund të liroheni nga çdo paragjykim për veten dhe për ëndrrat tuaja. Kështu do të pranoni vendimet tuaja si më të mirat për çastin kur i keni marrë.

Mos e mundoni veten për të parashikuar çdo gjë që sjell e ardhmja, jetës nuk mund t’i paraprish, por vetëm ta jetosh plotësisht.

Dështimi nuk është fundi, por një fillim
Për miliarderët dështimi merret si një pjesë e iniciativës krijuese që është në zemër të biznesit. Dështimi nuk është një pikë vdekjeje, por një pengesë që duhet kapërcyer. Por as suksesi nuk është mbërritja juaj, ju duhet të mendoni vazhdimisht se si ta përsosni veten.

Rrëmbejeni shansin
Mendimi optimist është shumë i nevojshëm në rast të mëdyshjes suaj për çdo eksperiencë që duhet të ndërmerrni në të ardhmen. Nëse nuk e rrëmbeni shansin, mos prisni që t’ju ndodhin gjëra të reja dhe entuziazmuese. Mundësitë janë të pafundme, kjo është diçka që ju duhet ta kuptoni shumë mirë.

“Bizneset janë për mua si autobusët, nëse qëndron në një cep dhe nuk të pëlqen se ku po shkon autobusi i parë, atëherë prisni pak dhe merrni një tjetër. Nuk ka fund për autobusët dhe bizneset”, ka thënë një sipërmarrës i suksesshëm amerikan.

Gjeni kurajën për të vazhduar
Optimizmi mund të jetë diçka e natyrshme për disa. Të tjerët mund ta shohin si të vështirë, por që mund ta arrijnë përmes kultivimit. “Suksesi nuk është përfundimtar, dështimi nuk është fatal, kuraja është ajo që ka rëndësi për të vazhduar përpara” – ka thënë Çërçilli.

Bëni gabimet “e duhura”
Optimizmi dhe mendimi pozitiv janë motorë të kurajës suaj. Nuk ka nevojë që kuraja të jetë heroike. Në vend që të dënoni veten për gabimet tuaja, provoni t’i shihni ato si gabimet e nevojshme për të përparuar.

Mos u ndalni
“Ndonjëherë kur po zbuloni një risi, ju bëni gabime. Është më mirë t’i pranoni ato së shpejti dhe të përmirësoni inovacionet tuaja”, ka thënë Stiv Jobs. Ai arriti me sukses të aplikonte filozofinë e tij të suksesit në punën që ka ndërmarrë.

Kini besim te puna
Nëse punoni shumë, jini sa më shumë optimistë që gjëra të mira do t’ju vijnë. Puna gjithnjë sjell frytet e saj herët ose vonë, nuk keni përse të mërziteni nga ideja se puna po ju rëndon shumë. Nuk është e thënë që gjërat të bëjnë kuptim në atë çast, por në të ardhmen do të mund të kuptoni shumë mirë qëllimin.

Kërkoni ndihmë
Njerëzit e suksesshëm besojnë në një botë më të mirë dhe bëjnë përpjekje që të kontribuojnë për këtë gjë. Duke bashkëpunuar me të tjerët, do të shtoni më tepër gjasat e suksesit, sepse përpjekjet në vetvete do të jenë të dyfishta.